Vdes në burg kreu i kartelit Cali dhe rivali më i fortë i Escobar

0

SHBA- Gilberto Rodriguez Orejuela, ish-udhëheqësi i kartelit të fuqishëm kolumbian Cali dhe rivali më i fuqishëm i Pablo Escobar ka ndërruar jetë sot, në moshën 83-vjeçare. Ai vdiq në një qeli burgu në SHBA, ku po vuante dënimin prej 30 vitesh për trafik droge. Rodriguez njihej si ‘shahisti’. Ai u u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në vitin 2004 ku kreu dënimin në një burg federal në Karolinën e Veriut. Bashkëthemeluesi i famshëm i kartelit të drogës Cali, i cili përdori teknika inovative për të kontrabanduar 2 miliard dollarë drogë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ndërruar jetë në burg.

Fëmijët dhe gruaja e Gilberto Rodriguez Orejuela janë informuar me lajmin e trishtë dhe presin që ta përcjellin 83-vjeçarin drejt banesës së fundit. Vëllai i tij, Miguel ndodhet ende në burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Arrestimi i Gilberto Rodriguez Orejuela nga autoritetet kolumbiane në vitin 1995 shënoi fillimin e shpërbërjes së kartelit Cali, i cili dikur kontrollonte 80% të trafikut të drogës në botë.

Dy vëllezërit Rodriguez i kishin shpallur luftë tregtarit famëkeq të drogës Pablo Escobar, i cili u vra në vitin 1993. Deri në vitin 1984 dy kartelet punonin në harmoni me njëri-tjetrin, por vrasja e Ministrit të atëhershëm të Drejtësisë, Rodrigo Lara Bonilla shënoi përçarjen më të madhe. Ishte Escobar ai që e donte të vdekur ministrin, por kreu i kartelit të Calit, kundërshtonte. Që nga ajo ditë, kartelet sa vinin e distancoheshin nga njëri-tjetri deri sa nisën sulmet e vrasjet që sollën një periudhë ‘lufte’ në Kolumbi.

Gilberto Rodríguez Orejuela mbretëroi vetëm dy vite pas vdekjes së Escobar pasi në qershor të vitit 1995 një grup elitar i ushtrisë dhe DEA bastisi apartamentin ku ndodhej ai dhe e prangosën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu