Veliaj reagon pas dhunës ndaj Berishës: S’ka rëndësi politika, të godasësh një të moshuar në rrugë është e shëmtuar

0

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i vetmi që nuk reagoi për dhunën ndaj kryedemokratit Sali Berisha në protestën e djeshme të opozitës. Reagimin e parë e bëri mbrëmjen e sotme teksa ndezi dritat e Pemës së Krishtlindjes te Kalaja e Tiranës. Edhe pse nuk e përmendi me emër kryedemokratin Berisha tha se dhuna ishte e shëmtuar.

“Para se të them një gjë për fëmijët, dua të them një gjë për të rriturit, për prindërit që janë këtu edhe për të gjithë gjyshërit, e gjyshet, e mamatë dhe baballarët, edhe për babagjyshin që ka ardhur këtu. Ne kemi pasur një vit fantastik në Tiranë. Tirana nesër lë stafetën si Kryeqyteti Europian i Rinisë. Ndërkohë sot në Bruksel morëm stafetën që vitin tjetër të jemi “Qyteti Europian i Sportit”, po ndodhin shumë gjëra të bukura, apo ajo? Në fakt e vërteta është që jo të gjithë gjërat janë të bukura. Kur ti shikon a ke dhune si ato që pamë dje, ajo nuk ishte një gjë e bukur. Nuk ka rëndësi ndaj kujt, nuk ka rëndësi mosha, nuk ka rëndësi nëse jemi dakord politikisht, apo kundër politikisht, të godasësh qoftë gruan në shtëpi, qoftë një të moshuar në rrugë, qoftë një fëmijë në klasë, janë sjellje jo civilizuese,”- u shpreh Veliaj.

Gert Shehu, 31 vjeç sulmoi kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së. 31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe mori mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi. Dyshohet se 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu