Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pas takimit me Presidentin Bajram Begaj, ka thënë se janë të gatshëm për të shkuar në zgjedhjet vendore 2023.
Sipas tij, palët duhet të respektojnë pikë së pari kompetencën e presidentit, pasi është ai që ka kompetencë dhe të përcaktojë se cila do të jetë data e zgjedhjeve.
Balla është ndalur edhe tek afatet e propozuara te Presidenti, edhe pse ka nënvizuar se nuk janë të prerë në propozimin e tyre.
“Zgjedhjet mund të zhvillohen brenda afatit 15 prill, 15 maj, duke marrë parasysh ndonjë ditë që mund të jetë festë zyrtare. S’kemi qenë të prerë në një propozim tonin apo sugjerim për një datë të caktuar, pasi besojmë se presidenti duhet të marrë në konsideratë të gjitha propozimet. PS është e gatshme që të marrë pjesë në zgjedhje, dhe t’i fitojë ato në secilën datë që do donte Presidenti”, është shprehur Balla.