Vështirësi e lartë e provimit të matematikës, QSHA: Mund të ketë rivlerësim të testit

0

Provimi i Matematikës për Maturën Shtetërore ditën e djeshme ka pezmatuar dhjetëra e qindra maturantë të cilët e kanë cilësuar testin shumë të vështirë, të përkthyer keq apo me gabime shkencore ndërsa kanë bërë kërkesë që të bëhet dhe rivlerësimi i tij pasi mund të penalizohen për zgjedhjen e degës së preferuar në Universitet.

Në lidhje me këtë shqetësim në një komunikatë për mediat zyrtarë të QSHA-së, kanë shpjeguar se si janë hartuar testet dhe se si do të procedohet specifikisht për provimin e Matematikës.

Sipas Rezana Vrapit, kryetare e bordit në QSHA, maturantët duhet të qetësohen pasi në fund të korrigjimit dhe marrjes së rezultatit do të shohin se nuk janë penalizuar nga pyetjet që u janë dhënë.

Sipas specialistëve të këtij institucioni testi i matematikës është hartuar ne përputhje me programin e maturës 2021.

“Testi mban pyetje të tre niveleve, pyetje nga niveli parë 24 pikë, niveli 2 ka 24 pikë dhe niveli i tretë 12 pikë. Duhet të sqarojmë se dhe nëse maturanti ka bërë zgjidhje ndryshe nga ai zyrtari po është i saktë shkencërisht do të vlerësohet si përgjigja e duhur.
Kemi parë një mori komentesh, por në një moment tjetër pasi të dalin rezultatet maturantët do të qetësohen. Sigurisht që 2 ose 3 koncepte mund të jenë jashtë modelit por duhet thënë që në test nuk ka asnjë pyetje që ka gabim shkencor, apo jashtë orientimit të Maturës Shtetërore”, tha Erisa Habili Përgjegjëse në sektorin e provimeve në QSHA.

Sipas mësueses Mirjana Canellari janë trajnuar dhe mësuesit që dhe kurrikulën ta përshtasin dhe në jetën reale.
“Niveli mes 9 dhe 10 bëhet nga 5 pikë të nivelit të tretë që ka 12 pikë”, u shpreh ajo duke theksuar faktin se nxënësit konceptet shkencore duhet ti përshtatin dhe me problemet në jetën e përditshme.

Ndërkohë Vrapi ka qetësuar maturantët duke çelur dhe një gjysmë drite jeshile për rivlerësim për disa nga pyetjet që mund të ketë kaluar pritshmëritë në vështirësi.
“Kemi një praktikë në fund të korrigjimit që të bëjmë një analizë, një pyetje vërtet mund të ketë kaluar pritshmëritë, mund të jetë më e vështirë dhe në këto momente do të bëjmë verifikim dhe do të shohim si do të procedojmë për të mos penalizuar asnjë maturant”, tha ajo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu