Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij amerikan, Joe Biden kanë rënë dakord të dy në parim për të mbajtur një takim për të ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë, tha Pallati Elysee në një deklaratë të dielën mbrëma.
Ishte presidenti francez Emmanuel Macron ai që “propozoi një samit që do të mbahej midis Presidentit Biden dhe Presidentit Putin dhe më pas me palët përkatëse të interesit për të diskutuar sigurinë dhe stabilitetin strategjik në Evropë”.
“Presidentët Biden dhe Putin e kanë pranuar të dy parimisht mbajtjen e një samiti të tillë” , shtoi ai.
Megjithatë, takimi “mund të mbahet vetëm me kushtin që Rusia të mos pushtojë Ukrainën”, shtoi pallati Elysee. Axhenda e samitit, nëse do të zhvillohet, do të përgatitet nga ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken gjatë takimit të tyre që pritet të enjten, më 24 shkurt.
Ndërsa Kremlini nuk ka dhënë ende një koment, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki konfirmoi se Presidenti Biden “pranoi në parim një takim me Presidentin Putin pas angazhimit Blinken-Lavrov, vetëm nëse një pushtim i Ukrainës nuk ka ndodhur”.
Presidenti francez e informoi homologun e tij amerikan të dielën në mbrëmje për bisedimet e tij me Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në një telefonatë që thuhet se zgjati vetëm 15 minuta.
Në një telefonatë me Putinin më herët të dielën, Macron ofroi të ndërmjetësonte bisedimet në Formatin e Normandisë “në orët e ardhshme” për të siguruar një armëpushim përgjatë vijës së kontaktit në rajonin e diskutueshëm të Donbass në Ukrainën lindore.
Kremlini konfirmoi se “dy liderët ranë dakord të mbajnë kontakte në nivele të ndryshme”, por nuk dha ndonjë detaj specifik.
Macron foli gjithashtu me Zelenskyn, i cili dyshohet se “konfirmoi vendosmërinë e tij për të mos reaguar ndaj provokimeve dhe për të respektuar armëpushimin”, sipas Pallatit Elysee.
Biden pretendoi të premten se inteligjenca amerikane i dha atij arsye për të besuar se Putini kishte marrë vendimin për të pushtuar Ukrainën në ditët e ardhshme. Moska ka mohuar vazhdimisht se kishte ndonjë plan për të sulmuar Ukrainën dhe i quajti akuzat “lajme të rreme”.