Pak orë pasi arriti një marrëveshje prej 44 miliardë dollarëshe për të blerë gjigantin e mediave sociale, Elon Musk është paralajmëruar se duhet të mbrojë përdoruesit e Twitter nga përmbajtja e dëmshme.
Miliarderi Musk u zotua të sjellë lehtësime në kufizimet e përmbajtjes së postimeve, e kjo shkaktoi frikë në mesin e grupeve të të drejtave të njeriut se ndryshimi mund të çojë në një rritje të bullizmit dhe dezinformimit.
“Pavarësisht pronësisë, të gjitha platformat e mediave sociale duhet të jenë përgjegjëse”, tha zëdhënësi i Boris Johnson.
Komisioni Evropian gjithashtu paralajmëroi Musk se ai duhet të mbrojë përdoruesit e rrjetit social.
“Qoftë për makina apo media sociale, çdo kompani që operon në Evropë duhet të veprojë në përputhje me rregullat tona – pavarësisht nga aksionet e tyre”, paralajmëroi Thierry Breton, komisioneri për tregun e brendshëm në ekzekutivin e BE-së, në një postim në Twitter.
Bashkimi Evropian deklaroi gjithashtu se rregullat e reja të miratuara për përmbajtjet në internet do të “riparojnë” ‘tregun’ dixhital, përfshirë dhe mënyrën se si funksionojnë gjigantët e teknologjisë.
Pasi rregullat të hyjnë në fuqi, do të duhet të ketë transparencë më të madhe rreth asaj se përse përmbajtja u rekomandohet përdoruesve, ose pse ata po synohen me reklama të caktuara, për shembull.
Musk, i cili është vetë-përshkruar “absolutist i fjalës së lirë”, ka qenë i zëshëm në kritikat e tij ndaj politikave të Twitter për moderimin e përmbajtjes, duke argumentuar se ai duhet të jetë një forum i vërtetë për fjalën e lirë.
“Fjala e lirë është themeli i një demokracie funksionale dhe Twitter është sheshi dixhital i qytetit ku debatohen çështjet jetike për të ardhmen e njerëzimit,” tha ai teksa lajmëroi arritjen e marrëveshjes për blerjen e Twitter.