3 persona janë arrestuar pas dokumentimit të 6 vjedhjeve nëpër banesa në Himarë.
Bëhet fjalë për shtetasit me iniciale R. R., 32 vjeç, banues në Vlorë, me precedent penal në fushën e narkotikëve, i cili u lokalizua dhe u vu në pranga në qytetin e Vlorës; Y. T., 39 vjeç, banues në Sarandë, i cili u lokalizua dhe u vu në pranga në qytetin e Sarandës; S. G., 44 vjeç, banues në Tiranë, me precedent penal në fushën e vjedhjes, i cili u lokalizua dhe u vu në pranga në qytetin e Gjirokastrës. Të tre ishin bashkëpunëtorë në kryerjen e vjedhjeve që kanë ndodhur gjatë periudhës maj-qershor 2023.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në 6 banesa të ndryshme në Himarë, sende personale, pajisje elektrike, vegla pune, biçikleta, aparate celulare, të cilat më pas i shisnin në qytete të ndryshme si Gjirokastër, Vlorë dhe Sarandë, bën me dije policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pinca, 1 peshore, 1 thikë, 1 distributor elektrik, disa metra kabllo elektrike dhe 5 aparate celulare.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.