“Ose e lë rehat, ose vdes”. Këto ishin fjalët e fundit që babai i tha djalit të tij, pasi mësoi se për një vit të tërë ai kishte përndjekur E.S, një 23-vjeçare nga Tropoja, e cila thjesht kishte vendosur të mos ishte më pjesë e një lidhjeje që nuk donte. Ai ishte kthyer në makthin e ish partneres së tij, i pranishëm kudo që ajo kthente kokën; në shtëpi, në lagje dhe në ekranin e celularit. Ngultazi kërkonte që të ktheheshin bashkë. Zgjidhja që ajo gjeti, ishte të ankohej për këtë situatë te familjarët e ish-partnerit.“Ishim të dy nga i njëjti qytet dhe nëse familja ime mësonte për këtë, do të derdhej gjak” – thotë e reja.
Në Shqipëri, përndjekja ndaj vajzave dhe grave mbetet një nga format më të padukshme të dhunës, por njëkohësisht ndër më të rrezikshmet. Në plot raste, ajo përshkallëzohet në kërcënime, dhunë fizike apo vrasje. Institucionet shpesh e nënvlerësojnë apo e relativizojnë përvojën e viktimave, duke e trajtuar atë me një mungesë serioziteti. Ndaj edhe e reja zgjodhi te ndiqte një tjetër rrugë, atë të vetëgjyqësisë.“Të shkosh në polici dhe të bësh denoncim për këtë, thjesht etiketohesh si e përdalë”- thotë ajo, duke shprehur besimin e saj të thyer.
Shifrat nuk tregojnë gjithë të vërtetën
Të dhënat e Policisë së Shtetit, të siguruara përmes një monitorimi nga organizata “Drejtësia Sociale”, për 5 vitet e fundit, flasin për rreth 1000 raste përndjekjeje të denoncuara në polici. Kjo shifër, për ata që e njohin nga afër këtë realitet, është vetëm maja e ajsbergut.
Në të vërtetë, shumica e grave që përballen me ndjekje obsesive, kërcënime, online ose fizikisht, zgjedhin të mos e denoncojnë. Arsyeja? Mosbesimi tek institucionet dhe mungesa e besimit se do të gjejnë mbrojtje. “Nëse unë ngre zërin dhe pas kësaj autori është ende i lirë, mua nuk më mbetet asnjë siguri”– thotë E.S.
Edison Likaj, aktivist që ka realizuar fokus grupe për dhunën me bazë gjinore, tregon se në shumicën e rasteve, të rinjtë do t’u drejtoheshin më parë për ndihmë të afërmve të tyre se sa stukturave shtetërore.
Nga të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë, rezulton vetëm një numër i vogël çështjesh të regjistruara për përndjekje. Në vitin 2023, nga 194 raste të raportuara për përndjekje, vetëm 55 janë ndjekur penalisht. Pra, vetëm një në tre raste përfundon në procedim penal. Mbetet e paqartë sa nga autorët janë liruar me vendim gjykate apo nga vetë policia, si dhe nëse është siguruar mbrojtje për viktimën pas lirimit të tyre.
Një pjesë e rasteve lidhen me përndjekje në internet. Vajzat ngacmohen përmes profileve false, me fotografi të tyre të marra pa leje nga rrjetet sociale.
“Mënyra si punonjësit e policisë i qasen këtij fenomeni e normalizon veprimin e autorit që është i paligjshëm, duke pretenduar se profilet në rrjetet sociale janë të hapura dhe fotogafitë aksesohen lehtë” – shprehet Edisoni.
“Është mentalitet”- thotë E.S-,“është njësoj si të thuash vajzat s’duhet të ecin vetëm natën, sepse ka meshkuj. Jetojmë në një botë ku nuk vihet theksi tek agresori, por te viktima”
Çfarë nuk funksionon në ligj?
Juristja Brunilda Dervishaj shpjegon se pas ratifikimit të Konventës së Stambollit në vitin 2012, Shqipëria është zotuar të harmonizojë legjislacionin e saj me standardet europiane. Si rezultat, në vitin 2020 u përfshi në Kodin Penal edhe dhuna psikologjike, e cila shpesh shfaqet gjatë përndjekjes.
“Ligji aktual për përndjekjen fokusohet më shumë tek sjellja e autorit sesa tek pasojat që kjo sjellje shkakton” – thekson ajo, duke shtuar se mungesa e një kuadri të plotë ligjor, sidomos për rastet online, vështirëson punën në terren. “Mendoj se lidhur me përndjekjen ka nevojë për më shumë trajnime të anëtarëve, e cila sigurisht e vështirëson punën e tyre duke mos patur një kuadër të plotë ligjor, sidomos për përndjekjet online.”– shton juristja.
Sfidë ka mbetur dhe një rekomandim i rëndësishëm i Komitetit të Ekspertëve të Konventës së Stambollit në lidhje me përgatitjen e një ligji që parashikon të gjitha format e dhunës ndaj grave.
“Ka mbetur vetëm në kuadër të tryezave të diskutimit, pa avancuar në ndërmarrjen e iniciativës ligjore.”- thotë juristja.
Modele nga jashtë: Çfarë bëjnë ndryshe Danimarka dhe Suedia?
Disa vende si Danimarka dhe Suedia, që kanë standarde më të larta se Shqipëria, kanë ndërmarrë hapa konkretë për të përballuar problemin e përndjekjes. Ato kanë krijuar ligje dhe mekanizma që mbështesin viktimat, por edhe synojnë rehabilitimin e autorëve.
Një menyrë të ngjashme me Qendrën e Përndjekjes në Danimarkë (Danish Stalking Center) përdor edhe Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza në Shqipëri. Të dyja synojnë të ndihmojnë njëherësh viktimat dhe autorët.
Por në Shqipëri thirrja nuk ka qenë e suksseshme me agresorët. Linja e Këshillimit po punon me të burgosurit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Burgjeve dhe Shërbimin e Provës.
“Ne tani marrim më shumë se 200 dhunues në vit.”– tregon Ejnxh Pepa, menaxhere e projektit.
Një tjetër masë që përdoret në Danimarkë është urdhri i ndalimit ndaj përndjekësit, i cili mund të zgjasë deri në pesë vjet. Në Shqipëri, një masë e tillë jepet vetëm në raste shumë të rënda, kur autori konsiderohet rrezik për rendin publik. Ndërkohë, urdhrat e mbrojtjes në Shqipëri janë të parashikuara vetëm për dhunën në familje, jo për përndjekjen në përgjithësi.
Edhe Suedia ka një ligj të veçantë që quhet “Përndjekje e Paligjshme” (Unlawful Persecution), i miratuar në vitin 2011. Ky ligj lejon ndëshkimin e përndjekjes edhe kur nuk ka prova të forta për kërcënim të drejtpërdrejtë. Mjafton të ketë shenja të përndjekjes, verbale apo online.
Megjithatë, sipas ekspertëve, këto modele nuk mund të kopjohen verbërisht, por të përshtaten me kujdes, duke marrë parasysh realitetin ligjor, institucional dhe ekonomik të Shqipërisë.
Deri atëherë, duhen luftuar sfida, si ajo e mentalitetit, e pasigurisë ndaj institucionit, e paragjykimit, që ai të jetë një derë e hapur për vajzat dhe gratë, që jo gjithmonë janë aq me fat sa e reja nga Tropoja. Rexhina Pepa