VOA: Qendra Lemkin në Poloni mbledh dëshmi mbi krimet e Rusisë në Ukrainë

0

Në përgjigje të raporteve për veprime ushtarake kundër civilëve gjatë sulmit rus në Ukrainë, Instituti Pilecki në Varshavë, krijoi një qendër për mbledhjen dhe ruajtjen e provave të krimeve të mundshme të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Qendra Raphael Lemkin për Dokumentimin e Krimeve Ruse në Ukrainë, po mbledh prova si shkatërrimi i infrastrukturës civile, plaçkitjet, dhuna, rrëmbimet dhe vrasjet.

Qendra u krijua nga Instituti Pilecki me bazë në Varshavë, një institucion kërkimor, i cili merret edhe me studimin e regjimeve totalitare.

“Ne po mbledhim prova nga dëshmitarë okularë për krimet e luftës dhe krimet e tjera të kryera nga Federata Ruse në Ukrainë”, thotë Kateryna Leontieva, Koordinatore e Qendrës Lemkin.

E themeluar menjëherë pas fillimit të sulmit rus në Ukrainë, qendra mori emrin e një avokati hebre, i cili e paraqiti dhe e përkufizoi termin “gjenocid”, që do të thotë “shkatërrim i një kombi ose grupi etnik”.

Rusia mohon të ketë kryer krime lufte. Këtu, një numër specialistësh lexojnë dhe përpunojnë dëshmitë e ukrainasve.

“Ne jemi duke punuar me një pyetësor, i cili u krijua posaçërisht për këtë projekt nga shkencëtarë, historianë, juristë dhe psikologë. Ai është i bazuar në parimet e së drejtës ndërkombëtare”, thotë zonja Leontieva.

Specialistët zakonisht kërkojnë dëshmitarë të mundshëm në qendrat e refugjatëve. Një grup i tyre punon gjithashtu në Ukrainë.

Një nga sfidat më të mëdha është bindja e njerëzve për të dëshmuar, thotë Kateryna Sukhomlynova, koordinatore e Qendrës Lemkin.

“Unë e filloj komunikimin tim duke u thënë atyre “Mirëdita. Nëse jeni dëshmitarë ose viktima të krimeve ose nëse keni kaluar nëpër kampe të zonave të pushtuara, flisni me ne”, thotë ajo.

Zonja Sukhomlynova është gjithashtu refugjate. Ajo kaloi 21 ditë në Mariupolin e pushtuar dhe në vonë pranoi të dëshmonte për Qendrën Lemkin në Poloni.

“Fatkeqësisht, kam qenë dëshmitare e shumë gjërave gjatë 21 ditëve në Mariupol. Dhe tani detyra ime është të jem një lloj ambasadore e Mariupolit, për të sjellë të vërtetën në botë. Më thërrasin shpesh për të ndihmuar njerëzit nga Mariupoli që të dëshmojnë”, thotë ajo.

Mund të duhen disa orë për të plotësuar pyetësorin. Disa dëshmitarë preferojnë të përgjigjen me shkrim ndërsa të tjerët preferojnë të flasin.

Secilit person i garantohet anonimiteti. Por edhe me këtë kusht, dëshmia mund të përdoret në proceset gjyqësore.

“Kushti i vetëm është që dëshmitë duhet të jenë nga dëshmitarë okularë. Kjo është shumë e rëndësishme. Por duke qenë se ne kemi të dhëna të plota personale, është gjithashtu e mundur që thjesht t’i telefonojmë njerëzit sërish para se dëshmitë e tyre t’u dorëzohen prokurorëve”, thotë Magdalena Gawin, drejtore e Institutit Pilecki.

Dëshmitë mund të përdoren edhe për gjetjen e personave të zhdukur.

“Mund të ndodhë që pas disa vitesh disa familje të viktimave mund të fillojnë përpjekjet për të mësuar se çfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre dhe për këtë mund të gjejnë informacion në arkivin tonë”, thotë zonja Leontieva.

Qendra ka mbledhur tashmë 800 dëshmi të ukrainasve nga rajone të shumta të vendit, të cilët kanë parë sulmet ruse.

Njerëzit janë më të gatshëm të flasin për shkatërrimin e infrastrukturës se sa për përdhunimet.

Sipas Qendrës Lemkin, koha është kundër dëshmitarëve sepse sa më shumë kohë të kalojë nga ngjarjet tragjike, aq më e vështirë e kanë t’i kujtojnë ato./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu