Vodhi 10 milionë lekë ilaçe të pacientëve me Covid, dëshmia e infermierit: Kam borxhe…

0

Një infermier në Korçë ka përfunduar në prangat e Policisë, pasi vodhi barna me vlerë plot 10 milionë lekë të vjetër në farmacinë e Spitalit ku punon prej vitesh, jo duke i marrë ato në dorë siç ndodh rëndom, por duke thyer xhamin e dritares.

Operacioni i koduar “Farmacisti” çoi në pranga infermierin e Urgjencës së Korçës, Nikolin Ciko, 41 vjeç.

Operacioni 

Ishin dy episode ku infermieri ishte përfshirë në vjedhjen e barnave, që përdoren për të sëmurët me sëmundje të rënda, si kanceri apo ata me koronavirus. Njëri prej episodeve është regjistruar në muajin mars të  këtij viti, ndërsa tjetri në muajin gusht.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e dy ngjarjeve të ndodhura më datë 08.03.2021 dhe 30.08.2021, ku në farmacinë e Spitalit Rajonal Korçë, u vodh një sasi e konsiderueshme medikamentesh e pajisjesh mjekësore me vlerë mbi 1.000.000  lekë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Farmacia”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar  shtetasit N. C., 43 vjeç, banues në Korçë (me detyrë infermier pranë Urgjencës së Spitalit Korçë)”, sqaroi Policia. Policia sqaroi se ilaçet përdoreshin për pacientët me  sëmundje tumorale dhe ata të infektuar me COVID-19.

“Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se ky shtetas  kishte vjedhur në farmacinë  e Spitalit, një sasi medikamentesh dhe pajisjesh mjekësore, të cilat shërbenin për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe me sëmundje tumorale, ku në cilësinë e provës  materiale iu gjet e sekuestrua sasia e medikamenteve”, thuhet më tej në dëshminë e tij.

Dëshmia

Infermieri i arrestuar nga Policia e Korçës për vjedhjen e barnave dhe pajisjeve për  personat me sëmundje tumorale, ka pranuar akuzën, duke deklaruar edhe motivin se pse ndërmori një akt të tillë. Infermieri Nikolin Ciko ka thënë se kishte borxhe dhe kredinë e shtëpisë për të shlyer, ndaj ka vjedhur ilaçet e spitalit.

Skema

Çdo infermier duhet të paraqesë recetën e lëshuar nga mjeku për të tërhequr barnat nga farmacia e spitalit, por 41-vjeçari Ciko kishte zgjedhur një rrugë më të shkurtër, duke thyer dritaren dhe duke i vjedhur barnat, për të cilat shteti paguan për kurimin e pacientëve nëpër spitale, vlera e të cilëve kap shifrën e 10 milionë lekëve të vjetra.

Policia ka sekuestruar edhe tri pako me ilaçet e vjedhura nga infermieri. Infermieri ofronte edhe shërbim në shtëpi për personat me koronavirus, kundrejt një pagese prej 5000 lekësh në ditë, përveç ilaçeve që shkonin deri në 100.000 lekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale  “Vjedhja”, me pasoja të rënda.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu