Vodhi në bashkëpunim me dy të tjerë 30 mijë euro në një banesë, arrestohet 49-vjeçari në Tiranë

0

TIRANË- Një 49-vjeçar është vënë në pranga në lidhje me një vjedhje të regjistruar në nëntor të vitit 2024. I arrestuari së bashku me dy persona të tjerë kanë vjedhur në një banesë 30 mijë euro dhe sende të tjera me vlerë.

49-vjeçari akuzohet për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim. Gjykata e Tiranës i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”. Një nga bashkëpunëtorit e tij është vënë në pranga ndërsa tjetri është kërkim.

Njoftim i Policisë:

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, në lidhje me vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 6 finalizuan operacionin “November”.

Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u ndalua shtetasi A. Ç., 49 vjeç. Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.

Në nëntor të vitit 2024, dyshohet se shtetasi A. Ç., në bashkëpunim me shtetasin Xh. C. (i arrestuar) dhe me një shtetas tjetër (ende në kërkim), vodhi 30 000 euro dhe sende me vlerë të konsiderueshme, në banesën e shtetasit A. Ç. Vijon puna për kapjen e shtetasit të fundit të shpallur në kërkim për këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.