BRUKSEL- Europa po i mëshon çdo ditë me më shumë idesë së krijimit të një korridori humanitar detar përmes Qipros, si një mundësi për të ndihmuar Rripin e Gazës. Pas presidentit francez, Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen në fjalimin e saj para ambasadorëve të BE-së në Bruksel iu rikthye kësaj ideje.
“Tani ndihmat po vijnë përmes pikës kufitare Rafah. Por sasia mbetet shumë e vogël për të përmbushur nevojat e mëdha humanitare në Gaza. Prioriteti ynë është të punojmë me partnerët për të forcuar aftësitë logjistike të Rafa-s”, tha Ursula von der Leyen ndërsa vuri në dukje se po punohet në rrugë shtesë.
Ndaj për kreun e KE, një korridor detar nga Qipro, i cili do të garantojë një fluks të vazhdueshëm, të rregulluar dhe të fortë ndihme është zgjidhje. Ursula von der Leyen theksoi se BE-ja është donatori më i madh i ndihmës humanitare në Gaza, por do të vijojnë përpjekjet që ndihmat të shkojnë tek civilët që kanë nevojë.
Vetë presidenti i Qipros, Nikos Christodoulidis shprehu mbështetjen dhe gatishmërinë për të hapur një kanal detar humanitar në ndihmë të Gazës. Qipro ka nisur përgatitjen e një kampi të madh refugjatës, i cili mund të presë disa mijëra persona.