Vota e Diasporës/ Vijon numërimi, PS dominim absolut me mbi 53 për qind të votave

0

SHQIPËRI- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi në orët e vona se ka përfunduar procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave për votimin brenda territorit të Shqipërisë, në përputhje me afatet e parashikuara në Kodin Zgjedhor.

Ky proces ka përfshirë të gjitha subjektet zgjedhore, partitë politike dhe koalicionet në 12 qarqet e vendit. Por, krahas kësaj vëmendja e partive politike tashmë është përqendruar te numërimi i votës së Diasporës.

Nga të dhënat e fundit të përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thuhet se janë numëruar 79409 zarfe nga 194889 që janë në total.

Nga ky numërim, Partia Socialiste vijon të dominojë bindshëm me 42492 ose 53.97% të votave, përkundrejt Partisë Demokratike dhe koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore, e cila ka siguruar deri tani 22481 vota ose 28.55%.

Rezultati sipas KQZ:

Në vend të tretë renditet koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 6670 vota ose 8.47%.

Gjithashtu vijon numërimi i votave për kandidatët, të cilët garuan në lista të hapura në 12 qarqet e vendit.

Pa përfshirë votën e Diasporës, partitë politike kanë siguruar këto mandate në Kuvend: Partia Socialiste 83 mandate, Partia Demokratike-ASHM 50 mandate, Partia Socialdemokrate 3 mandate, Partia Mundësia 2 mandate, Koaliconi Nisma Shqipëria Bëhet 1 mandat dhe Lëvizja Bashkë 1 mandat.