Votat e Diasporës/ PS i kërkon KQZ të nisë numërimin e votave nga Greqia

0

Partia Socialiste i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të ndërmarrë menjëherë hapat për nisjen e numërimit të votave të mbërritura me postë nga qytetarët shqiptarë në Greqi. Kjo kërkesë vjen pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), i cili rrëzoi pezullimin e mëparshëm të procesit të numërimit.

Sipas KAS, akti i ndërmarrë nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ka fuqi ligjore, pasi ndryshimet në rregullat për votimin nga jashtë mund të bëhen vetëm nga Rregullatori i KQZ-së, me shumicë të cilësuar. Ky organ kishte miratuar më herët të gjitha procedurat për administrimin e votave nga jashtë vendit, përmes vendimeve nr. 22, datë 20.03.2025 dhe nr. 33, datë 08.05.2025.

Ndërkohë, Partia Demokratike i është drejtuar Komisionerit Ilirjan Celibashi, duke kërkuar që ai të sigurojë transparencë nga kompania postare DHL, në lidhje me mënyrën e shpërndarjes dhe mbledhjes së zarfeve me vota në Greqi. PD kërkon që të bëhet publike baza ligjore mbi të cilën kjo kompani ka vepruar gjatë procesit të administrimit të votave.