Voton Presidenti Bajram Begaj, apeli për qytetarët: Shprehni lirisht vullnetin

0

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ushtroi sot të drejtën e tij për të votuar në qendrën e votimit të vendosur në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Pas votimit, Presidenti iu përgjigj interesit të mediave, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për qytetarët dhe për vetë demokracinë shqiptare. Ai e cilësoi ditën e zgjedhjeve si një moment të veçantë për vendin, jo vetëm për shkak të zhvillimeve të fundit në rrugën drejt integrimit evropian, por edhe për faktin se për herë të parë në histori, në këtë proces po merr pjesë edhe Diaspora.

“Procesi është i qetë. Proceset zgjedhore janë të rëndësishme për qytetarët dhe për demokracinë. Kemi hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për herë të parë voton Diaspora. Zgjedhjet duhet të përmbushin standardet më të mira,” deklaroi Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit nënvizoi se kjo ditë duhet të shënohet si një festë e vërtetë e demokracisë, ku qytetarët të shprehin lirisht dhe pa presion vullnetin e tyre: “Dita e sotme duhet të jetë një ditë e gëzuar, një ditë feste, ku qytetarët të shprehin lirisht vullnetin e tyre, pa presion dhe me përgjegjësi, dhe ku zëri i tyre duhet të dëgjohet.”

Presidenti shtoi gjithashtu se transparenca dhe korrektësia duhet të mbizotërojnë në të gjitha etapat e procesit zgjedhor, duke i kujtuar administratorëve detyrimin e tyre ligjor për t’u shërbyer qytetarëve.

“Po kështu duhet të jetë edhe procesi i administrimit dhe ai i numërimit, ndërsa administratorët zgjedhorë kanë detyrim ligjor t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve,” tha ai.