Biznesmeni Eduart Reçi ishte viktima e atentatit të ndodhur gjatë orëve të natës në Tiranë.
Ai ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, pasi u qëllua me plumb në kokë teksa po dilte nga banesa e tij. Sipas asaj që raportohet, biznesmeni ka qenë i vetëm në momentin kur u qëllua me plumb dhe dyshohet se atentatorët kanë pritur momentin derisa 52-vjeçari ka dalë jashtë apartamentit të tij që ndodhej në rrugën “Faik Konica” dhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij.
Ende nuk ka asnjë të dhënë mbi autorët e krimit, pasi kamerat e sigurisë kanë filmuar vetëm momentin kur është qëlluar. Grupi hetimor dyshon se atentatorët kanë qenë në distancë nga viktima.
Raportohet se 52-vjeçari nga Dibra ishte biznesmen në fushën e ndërtimit dhe kishte dy fëmijë. Familjarët e tij kanë deklaruar se biznesmeni nuk ka pasur konflikte. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 në kryeqytet dhe 52-vjeçari u dërgua në spitalin e Traumës, por nuk arriti të mbijetojë duke humbur jetën mëngjesin e sotëm.