Një 39-vjeçar është arrestuar nga policia pasi ishte shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur një vit më parë, në fshatin Hot i Ri, ku për shkak të një konflikti të çastit, jashtë një lokali, u vra me armë zjarri shtetasi Valter Fjerza.
Në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan punën dhe si rezultat kapën e ndaluan shtetasin Enton Dushaj, 39 vjeç, banues në Shkodër.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar ndaj 39 vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Moskallzimi i krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 21.09.2023, në fshatin Hot i Ri, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi Valter Fjerza.
Kujtojmë se i gjithë konflikti nisi mes vëllait të viktimës Kolë Fierza dhe autorit të vrasjes. Debati nisi në një lokal afër banesave lidhur me parkimin duke pretenduar se është bllokuar rruga. Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar.
Pas debatit autori, që ishte edhe fqinj, me 33-vjeçarin ka marrë armën dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar motomjeti që lëvizte 39-vjeçari. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.