Vrasja e Ermir Dedjas/ Gjendet në fshatin Gërdec automjeti i djegur i autorëve, brenda makinës dhe një armë zjarri

0

DURRËS- Një automjet është gjetur i djegur në fshatin Gërdec dhe brenda tij kishte dhe një armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët e vrasjes së Ermir Dedjas në Durrës.

Sipas raportimeve, automjeti tip “Seat” i autorëve ka rezultuar me targa të vjedhura. Ndërkohë autorët e ngjarjes vijojnë të jenë të paidentifikuar.

NJOFTIMI I POLICISË:

Në vijim të kontrolleve dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 20.05.2025, rreth orës 00:50, në lagjen nr. 18, ku dyshohet se u vra me armë zjarri shtetasi E. D., 29 vjeç, shërbimet e Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Tiranës, kanë gjetur në fshatin Gërdec, një automjet të djegur dhe brenda tij një armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.

I riu u qëllua me breshëri plumbash nga autorët e maskuar, teksa po lëvizte në këmbë në lagjen nr.18 të qytetit. Dyshohet se ka qenë një person që ka vëzhguar lëvizjet e të riut dhe më pas ka sinjalizuar autorët ende të paidentifikuar. Deri më tani policia ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave në zonë, dhe vijon me kontrollet për kapjen dhe ndalimin e autorëve.

Viktima, Ermir Dedja nuk është emër i panjohur për autoritetet, pasi ka qenë i përfshirë në një plagosje me armë zjarri në vitin 2017, i cili në atë kohë u vu në pranga si bashkëpunëtor i autorit në plagosje. 10 vjet më parë, në 2015, po ashtu ka qenë arrestuar si i dyshuar për shitjen e një sasie lënde narkotike dy shtetasve nga Hasi, qe do e trafikonin ne Kosovë.