Ekzekutorët e ish-policit, Xhelal Reçi, në Laç dyshohet se ishin vrasës me pagesë dhe besohet se janë nga Fieri. Konfliktet e të birit, Besnik Reçi, i hetuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale në Fier, Durrës e Lezhë, mbeten pista kryesore e hetimit.
Hetimet për vrasjen e Xhelal Reçi kanë forcuar dyshimet se ish-polici u ekzekutua nga vrasës me pagesë, ndërsa krimi mund të jetë pasojë e konflikteve të të birit, Besnik Reçi.
Ky i fundit, mësohet se ka qenë i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale të ndodhura në Fier, Durrës dhe Lezhë.
Burimet thonë se ai ka qenë disa herë i shoqëruar dhe është marrë në pyetje, por blutë nuk kanë arritur të provojnë kurrë përfshirjen e tij në krime, ndaj ishte lënë i lirë.
Përfshirja në grupe dhe ngjarje kriminale, dyshohet se ishte shkak edhe i atentatit që Besnik Reçit i bënë në gusht të vitit të kaluar në Shëngjin, ku ai u sulmua me armë zjarri në kohën kur në makinë ishte me gruan e fëmijët.
Vrasja e Xhelal Reçit u filmua nga një kamera sigurie, por pamjet nuk kanë ndihmuar në identifikimin e autorëve, të cilët mbanin në kokë kapele dhe mbulonin fytyren me maskë anti-Covid.
Mënyra e veprimit dhe fakti që ata nuk lanë gjurmë as në vendngjarje dhe as në makinën që përdorën për krimin, ka forcuar dyshimet e grupit hetimor se kanë të bëjnë me vrasës të paguar dhe një ngjarje të mirë organizuar.
Hetuesit mendojnë se ekzekutorët e ish-policit mund të jenë nga Fieri, zonë në të cilën ishte vjedhur edhe makina që ata përdorën për vrasjen.
Në vendin ku dogjën makinën në afëri të lumit Mat në Milot, autorët besohet se priteshin nga një tjetër mjet dhe nga aty kanë udhëtuar në drejtim të Shkodrës.
Për të zbuluar lëvizjet para dhe pas vrasjes, policia mësohet se ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në biznese përgjatë autostradës.
Prej të hënës në Kurbin kanë zbarkuar Forcat Speciale të Policisë së Shtetit që në tre ditë kanë ushtruar kontrolle në shumë banesa, por pa arritur të bjerë në gjurmët e vrasësve të ish-policit që mbeten të lirë.
61-vjeçari, Xhelal Reçi, u ekzekutua me dy plumba pistolete mëngjesin e së hënës (1 nëntor 2021) sapo zbriti nga një makinë për të hapur një biznes në pronësi në qendër të Laçit.