FIER- Një person i dytë është arrestuar nga policia në Fier për vrasjen e 19-vjeçarit Grei Bihuci. Mësohet se në pranga ka rënë një 17-vjeçar me inicialet K.M, i cili dyshohet se ka ndihmuar Florjan Mukën që të kryente vrasjen. Po ashtu është plagosur dhe një 20-vjeçar, i cili tentoi që të parandalonte vrasjen e 19-vjeçarit.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur rreth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, Fier, informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, në drejtimin e Prokurorisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. M., 18 vjeç, banues në Fier dhe K. M., 17 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh, Fier. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, dhe kanë plagosur shtetasin O. S., 20 vjeç, i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një mjet prerës (thikë) dhe një përforcues grushti, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes.
Ditën e djeshme ka mbetur i vrarë në qendër të Fierit, Grei Bihuci dhe i plagosur shoku i tij Olti Serjanaj i cili ndërhyri për evituar konfliktin. Autori i ngjarjes rezulton Florian Muka i cili është arrestuar nga policia. Ndërkohë që ditën e sotme policia e Fierit ka arrestuar dhe një bashkëpunëtor i Mukës.