Vrasja që tronditi Tiranën/ Kush është 54-vjeçari që u zbulua nga pamjet filmike, teksa i jepte një letër ekzekutorit të biznesmenit

0

Ekzekutimi mafioz i Behar Sofisë ende nuk i ka çuar në pranga të gjithë personat e dyshuar të Prokurorisë.

Më së fundi, është një 54- vjeçar i shpallur në kërkim dhe sipas të dhënave hetimore pretendohet se është ai konkretisht personi që ka urdhëruar atë ekzekutim që tronditi Tiranën 1 vit më parë, teksa një i ri iu afrua shënjestrës së vet, në orët e para të ditës, duke e ekzekutuar në sy të disa kalimtarëve dhe të punonjësve të Policisë, të cilët ishin në rrugë me qëllimin për të gjobitur qytetarët që lëviznin pa maska.

Ditëve të fundit, bëhet me dije se SPAK-u ka lëshuar një urdhërarrest për Jemin Sherën, 54 vjeç, me banim në Kamzë, i cili në dosjen hetimore emërtohet edhe si personi që ka kërkuar eliminimin fizik të biznesmenit Sofia.

Prokuroria i ka kërkuar Policisë arrestimin e këtij personi për llogari të hetimeve për zbardhjen e atentatit por Policia, si gjithnjë në raste të tilla, nuk e ka gjetur të kërkuarin në banesë dhe në asnjë vend ku ata pretendonin se ai mund të ishte.

Në fakt, emri i Sherës doli herët, gjatë fazës hetimore, por SPAK- ka vendosur vetëm tani ta akuzojë atë person për ekzekutimin e Sofisë.

URDHËRARRESTI

Referuar të dhënave zyrtare të dala nga SPAK-u, bëhet me dije se është Jemin Shera i dyshuari kryesor për porositjen e vrasjes së biznesmenit Behar Sofia. Dhe për këtë fakt, SPAK-u ka nxjerrë një urdhërarrest ndaj tij pikërisht në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, që ka rezultuar si pjesëmarrës në vrasjen e Sofisë. Duke iu referuar dosjes hetimore bëhet me dije se nga kamerat e sigurisë është parë dhe fiksuar fakti se Shera është i ulur në një tavolinë me Skënder Vathin, personin e dyshuar si organizator i vrasjes dhe më pas i jep një letër.

Më herët, teksa dolën të dhënat e kësaj dosjeje, Prokuroria theksoi se është bërë këqyrja e pjesshme e pamjeve filmike të DVR-së sekuestruar te bar “Komiteti”, i cili gjendet në kryqëzimin e rrugës “Fatmir Haxhiu” me rrugën “Papa Gjon Pali II”. Kjo këqyrje është kryer me objekt konstatimin e lëvizjeve të personit të ndaluar Skënder Vathi për datën 25.2.2021.

Gjatë këqyrjes, është konstatuar se ky person është shfaqur në lokalin në fjalë rreth orës 08:26:48, sipas orës së shënuar në DVR, e cila mësohet se është një orë para orës lokale. Në orën 08:27:03 shtetasi i dyshuar ulet në tavolinë në prani të një personi tjetër i njohur si Jemin Shera.

Pas 11 minutash, pra në orën 08:38:20, shtetasi Jemin Sheraj duket se i jep diçka, në dukje letër, shtetasit të dyshuar Skënder Vathi, i cili largohet nga lokali. Është bërë paraqitja për njohje nga ana e shtetasit Ernejt Shyti të personave që ai njeh me emrin “Daja” dhe personi, i cili i ka dhënë foton e viktimës.

Gjatë seancës së zhvilluar të paraqitjes për njohje ky shtetas ka njohur menjëherë shtetasin Leonardo Xhixha si personi me të cilin ka komunikuar në telefon dhe i ka dhënë foton e viktimës, si dhe shtetasin Skënder Vathi të njohur si “Daja”, i cili ka qenë i angazhuar me vëzhgimin e viktimës.

Sipas të dhënave në kërkesën e paraqitur nga akuza, theksohet ndër të tjera se në analizë të rezultateve hetimore, duke marrë në konsideratë aktet e administruara deri më tani, provat shkencore dhe deklarimet rezulton se në ngjarjen e datës 25.02.2021 ku ka mbetur i vrarë shtetasi Behar Sofia, deri më tani, kanë qenë protagonistë shtetasit e ndaluar me këto role konkrete: Ernejt Shyti në rolin e ekzekutorit, i cili ka kryer vrasjen.

Për këtë fakt ai është kontaktuar dhe bindur nga ana e shtetasit Xhuljano Visha, i cili e ka shtyrë të bëjë këtë vrasje kundrejt shpërblimit, si dhe ka siguruar armën dhe mjetin biçikletë me të cilën ka lëvizur ekzekutori ditën e ngjarjes së rëndë.

Organizator i vrasjes, deri në këtë fazë të hetimit është konsideruar shtetasi Skënder Vathi, në bashkëpunim dhe i ndihmuar edhe nga shtetasi Leonard Xhixha, të cilët kanë kontaktuar shtetasin Xhuljano Visha dhe ky ka gjetur edhe ekzekutorin që tashmë është i prangosur.

SPAK pretendon se me arrestimin e Sherës do të mundësohet edhe gjetja e motivit të asaj vrasjeje, pasi deri më tani ende prokuroria nuk ka një version të saktë se përse u vra ai person. Madje në kohën e vrasjes, u dhanë versione të shumta, por që asnjë nuk është konkretizuar nga ana e grupit hetimor. Panorama