TIRANË- Gjykata e Apelit ka shpallur vendimin për Mexhit Picarin dhe të bijën Dhurata Saliaj të cilët akuzohen për vrasjen e Kudret Saliaj. Gjykata ka vendosur dënim me burgim te përjetshëm për Mexhit Picarin, ndërsa Dhurata Saliaj u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg.
Kudret Saliaj u qëllua mesditën e 4 qershorit të vitit 2021 nga ish-vjehrri i tij Mexhit Picari, pas konflikteve se viktima i keqtrajtonte vajzën.
Çifti ishin në prag divorci dhe ditën e vrasjes kishin seancën e pestë, ku pritej të lexohej akti se kush do t’i mbante fëmijët, ku gjykata do pyeste djalin e madh të çiftit se me kë dëshironte që të rrinte.
Hetuesit thanë asokohe se Dhurata, ka qenë në rolin e vëzhgueses duke informuar babanë e saj, Mexhit Picari mbi lëvizjet e viktimës. Vajza ka njoftuar Mexhit Picarin dhe ku i fundit i pajisur me armë zjarri TT, ka shkuar në lokal dhe ka qëlluar me 8 plumba Kudret Saliajn.
Në tavolinë me viktimën në momentin e krimit ishte edhe i biri dhe një punonjëse sociale. Mexhit Picari qëlloi kundrejt ish-dhëndrit të tij, duke e lënë të vdekur në vend, ndërkohë që plagosi me një plumb rikoshet avokatin Adriatik Camaj.