TIRANË- ‘Jam penduar’- ka thënë Maliq Marku, autor i vrasjes së Shefqet Hasës dhe plagosjes së Besim Keçës, pasi është marrë në pyetje nga oficerët e policisë së Tiranës.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt, ata të dy më kanë ofenduar gjatë ditës së djeshme”, ka deklaruar ai.
Para bluve ai ka konfirmuar debatin që kanë patur për mosmarrëveshje për kanalizimet. Sipas 70-vjecarit ka kërkuar të sqarohet me fqinjët por situata doli nga kontrolli dhe në gjaknxehtësi e sipër mori armën në shtëpi dhe qëlloi ndaj tyre.
Disa kohë më parë, vetë banorët e rrugës kanë mbledhur para për ndërtimin e kanalit të ujërave të zeza, por Maliq Marku nuk ka paguar ngaqë ka qenë jashtë shtetit dhe nuk i është dashur. Pasi është kthyer një javë më parë nga Anglia, Maliq Marku ka shkuar tek ujësjellësi për të lidhur edhe banesën e tij me kanalin e ujërave të zeza. Ujësjellësi ka bërë piketimin, ndërsa 2 fqinjët kanë shkuar për t’i thënë që nuk do ta ndërtonte. Në gjaknxehtësi e sipër, pas debatit mes tyre, 70 vjeçari ka marrë pistoletën në banesë dhe ka qëlluar duke lënë të vdekur në derë të shtëpisë së tij njërin prej fqinjëve.
Shefqet Hasa i cili ndërroi jetë ka marrë katër plumba, ndërsa 2 plumba, 1 në bark e 1 në këmbë i plagosuri.