Disa gërvishtje në trupin e Petrit Mamajt forcuan bindjen e grupit hetimor se 56-vjeçari është autori i vërtetë i vrasjes së gruas së tij Valentina Mamaj dje në fshatin Sheqi i Madh në Fier. Ai kishte raportuar fillimisht te policia e Fierit (vëllai i tij punonjës policie) se e kishte gjetur bashkëshorten 50-vjeçare të vetëvrarë me thikë pasi ishte kthyer nga një shëtitje.
Për të mos krijuar dyshime te fqinjët dhe banorët e fshatit, Petrit Mamaj shkoi te një lokal i lagjes për të ngrënë. Pasi u arrestua, ai pranoi se e vrau bashkëshorten e tij për arsye xhelozie.
Çfarë ka ndodhur?
E ndjera do të varroset sot në vendlindjen e prindërve të saj në Levan, ndërsa shtëpia e çiftit Mamaj është mbyllur. Dy fëmijët e familjes janë kthyer nga Gjermania për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të nënës së tyre. 50-vjeçarja Valentina Mamaj u godit 6 herë më thikë në trup dhe zemër nga bashkëshorti i saj. Pas ngjarjes, ai telefonoi vëllanë e tij duke thënë se gruaja e tij kishte vrarë veten me thikë. Ai tha fillimisht para forcave të rendit se kishte dalë për xhiro në mëngjes dhe më pas e gjeti në banesë gruan të vdekur. Efektivët e rendit nuk u bindën nga rrëfimi i Petrit Mamajt. Hetimet e thelluara treguan se ai kishte qëlluar gruan me thikë në zemër dhe më pas shkoi në lokal. Para provave të pakundërshtueshme, 56-vjeçari tha se e vrau gruan e tij për arsye xhelozie. Ngjarja tronditëse ndodhi pasi djali i familjes u nis për në Gjermani.