TIRANË- Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Mexhit Picarin, i cili i mori jetën ish-dhëndrit dhe 30 vite burg për vajzën e tij. Babë e bijë u akuzuan se bashkëpunuan për vrasjen e Kudret Saliajt, më 4 qershor të 2021.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Paraditen e 4 qershorit, Mexhit Picari dhe vajza e tij, Dhurata Saliaj, ishin nisur së bashku nga Vora për në Gjykatën e Tiranës, ku dhe kishin seancën e pestë të divorcit të Dhuratës.
Sipas prokurorisë, ata kanë vëzhguar për të parë Kudret Saliajn në ambientet e gjykatës dhe rrotull saj. Pas seancës në Gjykatën e Tiranës, Saliaj dhe avokati i tij ishin ulur në një kafe dhe vetëm disa metra më tutje ndodhej edhe ish-bashkëshortja e tij. Sapo i ka parë të ulur, Picari i cili ka qenë më herët ish-efektiv burgjesh, qëlloi 5 herë në drejtim të ish- dhëndrit 41-vjeçar duke e lënë të pajetë.
Procedurat e divorcit dhe akuza për dhunë në familje dhe tradhti bashkëshortore
Mexhit Picari vrau ish-dhëndrin e tij, pasi ky i fundit kishte nisur procedurat e divorcit me bashkëshorten, me të cilën ka tre fëmijë. Ai dhe familja e tij e akuzonin për dhunë në familje dhe për tradhti bashkëshortore.
Dhurata Saliaj ka thënë se bashkëshorti me vjehrrën e kishin larguar me dhunë nga shtëpia, dhe se kishin nxitur fëmijët të mos qëndronin me të. Fëmijët jetonin në shtëpitë e të atit ndërsa Dhurata në shtëpinë e familjes. Babai i saj, pasi u arrestua nga policia, ka thënë se e kreu aktin e rëndë për dinjitetin e vajzës së tij.