34-vjeçar Alidon Marqeshi është arrestuar në Tiranë pasi ishte në kërkim ndërkombëtar i akuzuar për vrasje.
Sipas burimeve, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Benz” me drejtues Marqeshin, të cilit iu gjet një sasi e vogël me kokainë.
Por pas verifikimeve rezultoi se ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar pasi 6 vite më parë ka vrarë me sende të forta një shqiptar.
Gjykata e UML, Gjermani ka caktuar ndaj tij masën e arrestit me burg.
Njoftimi i policise:
DVP Tiranë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës arrestuan shtetasin A. M., 34 vjeç, banues në Tiranë.
Më datë 11.06.2023, rreth orës 20:40, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin A. M. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur këtij shtetasi, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e ULM/Gjermani, e cila ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg” për kryerjen e veprës penale “Vrasja e kryer në bashkëpunim” parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë.
Shtetasi A. M., në vitin 2017, në qytetin e Ulm, Gjermani, është konfliktuar me shtetasin shqiptar Xh. M., të cilin e ka qëlluar me sende të forta, duke i shkaktuar vdekjen.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.