V*ritet me th*ikë 17-vjeçari shqiptar në Greqi, i vëllai e gjeti me plagë në shtrat

0

Një sherr i dhunshëm në Lutrak të Greqisë në orët e para të mëngjesit të së premtes përfundoi me vdekjen e 17-vjeçarit shqiptar Aleks Vangjeli dhe plagosjen e një 19-vjeçari tjetër. Ngjarja po hetohet nga autoritetet greke, ndërsa detaje të reja u raportuan nga emisioni “Zbulesa”.

Sipas informacionit, 19-vjeçari i plagosur ka treguar autorin e vrasjes dhe ka dhënë informacion të rëndësishëm për hetimin.

Në orët e para të mëngjesit, Aleksi u gjet i pajetë në shtrat nga vëllai i tij , i cili e dërgoi për në Spitalin e Korinthit, ku për shkak të plagëve të marra dha frymën e fundit.

19-vjeçari fillimisht u paraqit në spitalin e Lutrakut me lëndime në bark dhe gjoks, duke pretenduar se ishin shkaktuar nga një aksident me makinë, por mjekët konstatuan se plagët ishin nga një objekt i mprehtë. Për shkak të gjendjes serioze, ai u transferua në një spital në Athinë dhe aktualisht po trajtohet jashtë rrezikut për jetën.

 

Presidenti i Shoqatës Mjekësore të Korinthit dhe Zëvendësguvernatori i Peloponezit në fushën e Shëndetësisë, Chrysovalantis Mellos, deklaroi se 19-vjeçari mbërriti i pari në Qendrën Shëndetësore të Lutrakut rreth orës 2 të mëngjesit. Pas stabilizimit fillestar, u konsiderua e nevojshme transferimi për trajtim më të specializuar në Atikë.

I ndjeri 17-vjeçar mbërriti i vdekur në Spitalin e Korinthit rreth orës 6 të mëngjesit, dhe duket se plagët i janë shkaktuar disa orë më parë, para se të dërgohej për trajtim.

Hetimet për ngjarjen vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të sqarojnë rrethanat që çuan në këtë tragjedi.