Një 41-vjeçar me origjinë shqiptare është vrarë me armë zjarri në një vresht në zonën rurale të Rafinës në Greqi.
Viktima është identifikuar si Altin Arapaj, 41 vjeç, i cili është emër i njohur për policinë greke, për shkak të përfshirjes së tij në disa vepra penale. Ndërkohë mësohet se autori i dyshuar i krimit është gjithashtu me origjinë shqiptare dhe i njohur për autoritetet për përfshirje në raste droge.
Sipas informacioneve të para për mediat greke, para se të jepte frymën e fundit 41-vjeçari telefonoi bashkëshorten e tij, të cilës i zbuloi emrin e autorit që e qëlloi me armë zjarri.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit të vrasjes.