Ka një prapaskenë pas fjalëve të Rocco Comissos, presidentit të Fiorentinës i cili dy ditë më parë tha: “Nuk i lë agjentët të më shantazhojnë”. Në negociatat tashmë të komprometuara për rinovimin e kontratës së lojtarit Dusan Vlahovic, i cili falë golave të tij është kthyer në një nga sulmuesit më të kërkuar në Evropë, Agjencia Ndërkombëtare e Sporteve e Beogradit themeluar në vitin 2015 është nën hetim.
Agjencia që kujdeset për interesat e lojtarit, ka parë fuqinë e saj të rritet në botën e futbollit falë lidhjeve të thella me Partizanin e Beogradit, një nga dy skuadrat e qytetit të kontrolluara nga shteti, si dhe me disa anëtarë të qeverisë serbe.
Interesat ekonomike dhe lidhjet me politikën e agjentëve të lojtarit të çojnë te Novac Nedic, sekretar i përgjithshëm i qeverisë së drejtuar nga presidenti Aleksandar Vucic. Dokumentet e kompanisë zbulojnë një marrëdhënie midis Dejan Grgic, një nga partnerët e Zyrës Ndërkombëtare të Sporteve dhe Branislava Nedic, nëna e sekretarit të përgjithshëm të qeverisë.
Partizani mbetet në qendër të dinamikës sportive jo vetëm brenda kufijve serbë. Nga njëra anë brohoritjet e dhunshme dhe marrëdhëniet e ultrasve me skajet e krimit të organizuar, nga ana tjetër aftësia për të nxjerrë kampionë që luajnë në Europë. Një tjetër pikë e fortë që bëri që agjencia të shkëlqejë ishte dhe interesi i Danilo Vucic, djalit të presidentit serb Aleksandar Vucic.
Burime të kualifikuara pranë lojtarit dhe Fiorentinës konfirmojnë se djali i presidentit (i fotografuar në disa raste në shoqërinë e tifozëve të dhunshëm të Partizanit) është paraqitur si një nga agjentët e futbollistit. Njerëzit pranë presidentit e mohojnë duke shpjeguar se Danilo Vucic është thjesht një tifoz i madh i futbollit. Dusan Vlahovic nuk i përgjigjet të njëjtës pyetje, por lidhja e tij me Fiorentinën duket e destinuar të bëhet shumë më tepër se një histori dashurie që përfundoi keq.