Vuçiç pret gjeneralin e NATO-s dhe zbut gjuhën ndaj Kosovës e KFOR-it

0

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç “zbut” gjuhën ndaj Kosovës kur në tokën e saj shkel një zyrtar i lartë Amerikan dhe i NATO-s.

Vuçiç njoftoi se pati një bisedë të mirë me komandantin e Komandës Ajrore Aleate të NATO-s dhe komandantin e Forcave Ajrore të SHBA-së në Europë dhe Afrikë, gjeneralin James Hecker.

Temë kryesore në takimin e tyre ishte situate e sigurisë në Serbi, rajon dhe veçanërisht në Kosovë, por edhe bashkëpunimi mes NATO-s dhe Beogradit.

“Përsërita mirënjohjen time për forcat e KFOR-it, të cilat janë garantues i paqes dhe sigurisë së popullit tonë në Kosovë dhe shpreha kënaqësinë time për besimin e ndërsjellë dhe bashkëpunimin e mirë që po zhvillohet duke respektuar neutralitetin ushtarak të Serbisë. Gjithashtu diskutuam për forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes, i cili kontribuon si në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe në përmirësimin e marrëdhënieve të përgjithshme dypalëshe të dy vendeve”, tha Vuçiç.

Më herët, Vuçiç zhvilloi një bisedë telefonike me homologun francez, Emanuel Macron. Siç bën me dije përmes një postimi në Instagram, ai i ka kërkuar kreut të Elizesë t’i qëndrojë pranë Serbisë në rrugën e vështirë të paqes dhe stabiletit, siç pohon, pavarësisht të gjitha vështirësive me të cilat përballet.

Vuçiç tha gjithashtu se gjatë bisedës kishte theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së zgjidhjes së çështjeve me rëndësi, si ajo e Kosovës dhe komunitetit serb, që siç tha jeton i privuar nga të drejtat.

“Ritheksova se kjo çështje duhet të vazhdojë të zërë vend të rëndësishëm në agjendën e BE-së, me angazhim të fortë diplomatik që synon zbatimin përfundimtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, si bazë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe garancive të sigurisë për popullin serb”, deklaron Vuçiç.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu