Zara reagon pas bujës që shkaktuan fotot nga fushata e saj e fundit

0

Kompania e modës Zara ka fshirë të gjitha fotot e fushatës reklamuese që shkaktoi zhurmë së fundmi, pasi aktivistët pro-Palestinës kërkuan një bojkot të markës së njohur.

Inditex, kompania që zotëron Zarën, tha të hënën se ndryshimi ishte pjesë e një procesi normal të rifreskimit të përmbajtjes dhe se fotot janë realizuar në shtator, para luftës aktuale midis Hamasit dhe Izraelit.

Fushata reklamuese shfaqte manekina të cilave u mungonin gjymtyrët dhe statuja të mbështjella me çarfçaf të bardhë. Disa aktivistë thanë se fotografitë u ngjanin imazheve nga sulmi i Izraelit në Gaza, ku mijëra palestinezë janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur.

Llogaria e Zarës në Instagram u mbush me mijëra komente të postuara në lidhje me fotot, me shumë flamuj palestinezë, ndërsa hashtagu “#BoycottZara” ishte në trend në platformën X.

Incidenti vjen pasi sulmi i Izraelit në Rripin e Gazës hyn në muajin e tretë, ndërsa autoritetet palestineze thonë se më shumë se 18,000 njerëz janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Zara ka thënë se fushata reklamuese është konceptuar në korrik, fotografitë janë realizuar në shtator dhe se janë frymëzuar nga veshjet e meshkujve nga shekujt e kaluar. Kompania nuk i ka komentuar thirrjet për bojkot.

Nuk është hera e parë që kompania vihet në shënjestër të bojkotit nga mbështetësit e Palestinës.

Në vitin 2022, disa palestinezë postuan video të tyre duke djegur rrobat e Zarës dhe duke u bërë thirrje të tjerëve që të mos mbështesin gjigantin e modës pasi një pronar ekskluziv i dyqaneve Zara në Izrael priti një ngjarje fushate për politikanin izraelit të krahut të djathtë Itamar Ben-Gvir në shtëpi.

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu