FRANCË- Dënimi i plotë i Marine Le Pen është zbardhur. Euroactiv shkruan se një gjykatë në Paris e dënoi lideren franceze të ekstremit të djathtë për keqpërdorim të fondeve të BE-së. Marine Le Pen është ndaluar që për pesë vitet e ardhshme të mbaj poste publike.
Marine Le Pen u dënua gjithashtu me katër vjet burgim, dy prej të cilave u pezulluan dhe dy vjet burgim për tu vuajtur në shtëpinë e saj me një kyç elektronik. Gjykata e ka dënuar gjithashtu dhe me 100 mijë euro.
Le Pen u shpall fajtore për marrjen e 474,000 eurove për punësimin e katër asistentëve fiktive kur ajo ishte një eurodeputete (2004-2017).
“Askush nuk akuzohet se është angazhuar në politikë”, tha gjyqtari në përgjigje të argumenteve të avokatëve të partisë së ekstremit të djathtë, të cilët theksuan se ishte e mundur të punonte njëkohësisht në Paris, në selinë e partisë dhe në Strasburg.
Më e rëndësishmja, liderja e ekstremit të djathtë u konsiderua qendrore për një “sistem” përvetësimi që keqdrejtoi fondet e BE-së për partinë e saj midis 2004 dhe 2016, i projektuar për të “lehtësuar barrën financiare të partisë”.
“Le Pen është fajtore për bashkëpunim në përvetësim gjatë mandatit të saj si presidente e partisë midis 2011 dhe 2016, që përfshin një total prej 1.8 milionë eurosh”, tha gjykatësi Bénédicte de Perthuis.
Gjykata dënoi gjithashtu 23 anëtarë të tjerë të Rassemblement National, duke përfshirë punonjës, deputetë dhe ndihmës. Partia u gjobit me 2 milionë euro, një milion prej të cilave u pezullua dhe u urdhërua të paguajë 4.4 milionë euro dëmshpërblim në Parlamentin Europian.
Ndërsa gjykata pranoi se asnjë nga të akuzuarit nuk kishte përfituar personalisht, ajo theksoi se fondet e përvetësuara u përfituan nga partia, duke “minuar parimet demokratike” dhe duke gërryer “besimin e votuesve francezë”.
Le Pen është shpallur e papërshtatshme për poste publike me efekt të menjëhershëm, pavarësisht nga çdo apelim i mundshëm. Ajo u largua nga salla e gjyqit para se vendimi i saj të shpallej zyrtarisht.