NJU JORK – Ishte një seancë e tensionuar ajo e javës së kaluar, kur Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara vendosi të thërrasë në një mbledhje urgjente, fituesen e konkursit Miss Bota 2025, 24-vjeçaren nga Tajlanda, Opel Mercedes Subaru. Bukuroshja tajlandeze akuzohet për mashtrim me pasoja globale, përfitim nga premtime të rreme dhe dëmtim të imazhit dhe dinjitetit të Kombeve të Bashkuara.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit ishin të një mendjeje kur deklaruan se premtimet e studentes së vitit të fundit në Universitetin Paqësor të Bangkokut gjatë konkursit Miss Bota 2025, – se nëse fitonte, do të punonte papushim për vendosjen e paqes në botë, – rezultojnë 100 përqind të pambajtura.
I ashpër ishte në qëndrimin e tij edhe sekretari special i OKB-së për çështjet e paqes, italiani Xhuzepe Limonato:
“Dështimi juaj, zonjushë Subaru, për të siguruar paqen në botë brenda mandatit tuaj, bie në konflikt flagrant me premtimet solemne të shqiptuara po nga ju, në natën finale të konkursit Miss Bota 2025. Më korrigjoni nëse gaboj; a janë këto fjalët tuaja të thëna atë mbrëmje?”, dhe Limonato vuri në dispozicion të Këshillit të Sigurimit, disa sekuenca video ku Opel qartazi dhe në mënyrë të pacipë deklaronte se paqja në botë ishte prioriteti i saj absolut nëse fitonte.
Akuzën e çoi më tej këshilltarja speciale e kreut të OKB-së, grekja Kostandina Portokaladha:
“A është e vërtetë, zonjushë, se teksa po bënit këto premtime, ju mbanit veshur vetëm një palë rroba banje – në fakt ca rripa të turpshëm që nuk e di si ju kanë lejuar prindërit – dhe shihnit në dritë të syrit anëtarët e jurisë për t’u marrë mendjen? Hë, pse s’flisni?”
***
Sesioni urgjent, për hir të së vërtetës, ishte kërkuar prej disa javësh nga përfaqësuesit e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit. Në kërkesën zyrtare të depozituar në sekretari, Rusia dhe SHBA shprehnin shqetësimin për gjendjen në Ukrainë, sulmet e vazhdueshme ndaj Iranit dhe situatën në Gaza e Liban.
Përveç zhgënjimit të hapur për performancën tejet të dobët të Opel Mercedes Subaru, diplomatët e të dyja vendeve deklaruan njëzëri se skema me të cilën kanë funksionuar marrëdhëniet ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore – ku paqja globale u ishte besuar disa vajzave tek të njëzetat, sado të bukura të qenë ato – ishte vjetruar dhe duhej ndryshuar.
Përpjekjet e lodhura të 24-vjeçares tajlandeze për t’u justifikuar: Jo po kishte qenë e zënë me provimet, kishte bërë sherr me të dashurin etj etj, nuk i bindën anëtarët e Këshillit.
Jo vetëm kaq, por gjatë seancës, dolën në pah edhe premtime të tjera të pambajtura të vajzës – të cilës prindërit kushedi për ç’dreq arsyeje, i kishin vënë si emër disa marka makinash – gjatë konkurseve paraprake që e çuan deri tek Miss Bota.
Kështu, doli se para se të shpallej Miss Tajlanda, skuthja kishte premtuar se do punonte për “një botë të sigurtë dhe të mbushur me dashuri, sepse vetëm në një mjedis të tillë dua të sjell në jetë fëmijët e mi të ardhshëm”.
Akoma më flagrante ishte deklarata e saj e para dy viteve, se do të bëhej një ambasadore e denjë për një mjedis i pastër dhe ushqim të mjaftueshëm për të gjithë.
“Hë moj nepërkë, ku e ke paqen, mjedisin e pastër dhe ushqimin për të gjithë? Fol, pse s’flet”, bërtitën njëzëri Limonato dhe Portokaladha.
***
Edhe pse 24-vjeçaren e kapi ngashërimi, supet po i dridheshin dhe, nga tronditja, kërkoi të ulej pak sa të mblidhte veten, Këshilli i Sigurimit të OKB-së u tregua i palëkundur. Me votë unanime, u miratua një rezolutë që dënonte mashtruesen dhe u bënte thirrje organizatorëve të Miss Botës, që herë tjetër të verifikonin premtimet e pambajtura të Misseve.
Megjithatë, Këshilli e vlerësoi tek Opel Mercedes Subaru, veshjen elegante të mbrëmjes dhe kombinimin perfekt të ngjyrës së këpucëve me çantën e dorës, që ishin në harmoni me aksesorët e tjerë si rripi i mesit, byrzylyku dhe vathët.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike e apasionuar pas tendencave me ngjyra të ndezura të këtij sezoni pranverë-verë 2026





