TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi deklaroi sot se PS po bën gjithë përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet që do të zhvillohen në tri bashki të vendit, pasi kryetarët janë zgjedhur deputetë. Bëhet fjalë për bashkitë e Beratit, Tepelenës dhe Matit, që sipas Klosit PS-ja po punon për t’i fituar. Në një prononcim për mediet, Klosi u shpreh se periudha më e përshtatshme për zgjedhjet është në vjeshtë.
“Tri bashkitë të cilat janë në garë në bazë të tërheqjes së kryetarëve të bashkive, Bashkia e Matit, Beratit dhe Tepelenës, pa dyshim janë në planet organizative të Partisë Socialiste. Shkojmë për t’i fituar të trija bashkitë. Kemi filluar, të paktën në Mat, përzgjedhjen e kandidaturave për rifreskimin e gjithë strukturës sonë elektorale, dhe besoj edhe Berati e Tepelena”, tha Klosi.
Klosi informoi se po në shtator, PS pritet të mbledhë forumet për të vijuar me ndryshimet në strukturat e partisë.
“Shtatori, si gjithmonë, ka qenë momenti kur, së bashku me grupin e ri parlamentar, së bashku me qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, do të analizohen, gjykohen dhe do të vlerësohen të gjitha forumet e Partisë Socialiste”, përfundoi Klosi.