Ka nisur zyrtarisht procesi zgjedhor për organet drejtuese të Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan, në bazë të vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, i cili ka miratuar kalendarin e zgjedhjeve për dhomat vendore.
Sipas njoftimit zyrtar, zgjedhjet për Dhomën Vendore të Avokatisë Elbasan do të zhvillohen më 26 janar 2026, në orën 15:00, ndërsa vendi i zhvillimit do të përcaktohet nga organet drejtuese të dhomës vendore.
Në këtë proces zgjedhor do të votohet për kryetarin e Dhomës Vendore të Avokatisë Elbasan, sekretarin e dhomës, një anëtar të Komitetit Drejtues, si dhe për përfaqësuesit e Dhomës Vendore Elbasan në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë.
Përfaqësimi në Këshillin e Përgjithshëm do të përbëhet nga katër avokatë, ku kryetari i dhomës është anëtar automatikisht, ndërsa përfaqësuesit e tjerë do të zgjidhen me votim nga radhët e avokatëve të Elbasanit.
Burime nga Dhoma Vendore e Avokatisë Elbasan bëjnë me dije se deri më tani janë konfirmuar katër kandidatura në këtë proces zgjedhor: Demir Çiftja, Ledian Muzhaqi,Erind Gjeta dhe Aldi Kaci.


Kandidatët duhet të dorëzojnë kërkesën për kandidim me shkrim jo më pak se 48 orë përpara datës së zgjedhjeve. Të drejtë vote dhe kandidimi kanë vetëm avokatët e pajisur me kartonin e avokatit për vitin 2025 dhe që nuk kanë papajtueshmëri ligjore me ushtrimin e profesionit, në përputhje me ligjin nr. 55/2018.
Listat zgjedhore do të hartohen nga administrata e Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë dhe do të vihen në dispozicion të kandidatëve dhe organeve drejtuese të Dhomës Vendore Elbasan. Avokatët që nuk gjejnë emrin në listë, por plotësojnë kriteret ligjore, mund të drejtohen pranë stafit të DHASH./Infoweb Media





