Kryetari i partisë ‘URA’ në Mal të Zi, Dritan Abazoviç ka pësuar humbje në vendlindjen e tij Ulqin.
Komuna e Ulqinit do të drejtohet nga partitë shqiptare Unioni Demokratik Shqiptar dhe Lidhja Demokratike e Malit të Zi. Konfirmimi vjen pas përsëritjes së zgjedhjeve në vendvotimin nr.5 të Komunës së Ulqinit.
Procesi shihej i rëndësishëm për kompozimin e koalicioneve në këshillin komunal dhe më pas zgjedhjen e kryetarit që do të drejtojë Komunën e banuar me shumicë shqiptare.
Zgjedhjet e pjesshme i ka fituar koalicioni i kryesuar nga partia e Muhamet Zenkës, Unioni Demokratik Shqiptar (UDSH) dhe Lidhja Demokratike e Malit të Zi (LDMZ) e Mehmet Bardhit.
UDSH-LDMZ kanë marrë 207 vota, kundër 204 vota që ka marrë koalicioni “Fillimi i Ri” i Dritan Abazoviç. 76 vota kanë shkuar për partinë Forca, 6 vota për demokratët dhe 2 vota për PDS-PB.