Vlorë, 19 Qershor 2025 – Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë pyllin e Sodës në afërsi të qytetit bregdetar të Vlorës. Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe erës që favorizon djegien, pushuesit janë detyruar të largohen nga plazhi i Zvërnecit, vetëm pak metra larg zonës së përfshirë nga zjarri.
Në vendngjarje ndodhen katër automjete zjarrfikëse, ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë për izolimin e flakëve dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme drejt zonave të banuara apo hapësirave të frekuentuara nga pushuesit.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së pyllit të Sodës deri në normalizimin e situatës.
Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta, por nuk përjashtohet mundësia e një zjarrvënieje të qëllimshme apo pakujdesie nga vizitorët e zonës. Policia dhe autoritetet përkatëse kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.