Zjarret në masë në Kanada, kërkohet evakuimi i qytetit me 20 mijë banorë

0

KANADA- Mbi 20.000 njerëz, e gjithë popullsia e qytetit Yellowknife në Kanada, kanë kohë deri mesditën e së premtes për të evakuuar qytetin për shkak të zjarreve që e kërcënojnë atë. Është hera e parë që kërkohet evakuimi i një kryeqyteti provincial, deri më tani urdhrat kishin të bënin me qytete më të vogla.

Rrugët që të çojnë në qytet janë në kaos, me radhë me qindra automjete. Të shumtë janë edhe ata që largohen nga qyteti me avion, por edhe atje radhët janë të gjata.

Ndërkohë, qyteti është mbuluar nga tymi i dendur, duke krijuar një skenë të frikshme. Autoritetet thonë se flakët mund të arrijnë në Yellowknife deri në fundjavë. Për momentin, frontet jashtë kontrollit janë rreth 15 kilometra larg qytetit, ndërsa kanë djegur mbi 1.6 milionë hektarë pyje.

Dramatike paraqitet edhe situata në rrjetin rrugor, ku dëshmitarët okularë flasin për dhjetëra kafshë të egra të djegura në anë të rrugës.

2023 është viti më i keq për zjarret në Kanada. Aktualisht ka mbi 1000 fronte aktive në vend, nga të cilat 236 janë në Territoret Veriperëndimore, duke përfshirë Yellowknife.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu