VLORË- Prej 48 orësh, fusha e grumbullimit të mbetjeve në Vlorë është në pushtetin e flakëve. Shtëllunga të mëdha tymi kanë “pushtuar” zonën, ndërsa banorët kanë shprehur shqetësimin se jeta e tyre është në rrezik. Një banor ka rrëfyer se shtëpia e tij gjendet shumë pranë zonës që po përpihet nga flakët.
“Ka që në mëngjes që ka rënë zjarr. Tani na vjen, s’ka faj se fryn era. Na vjen tymi te shtëpia. Ja ku janë mbeturinat, ja ku është shtëpia. Unë jam roje këtu dhe s’di gjë kush vë zjarrin. Është bërë shumë keq. Është edhe një plastmasë gati 3 ton, po mori flakë ajo ne u dogjëm të gjallë. Kush do vijë të na shpëtojë ne?”, tha banori në një intervistë për “Report Tv”.
Forca të shumta zjarrfikëse por dhe punonjës se bashkisë janë duke punuar për të izoluar flakët, por era që fryn ka përkeqësuar situatën, duke bërë që zjarri të afrohet tek banesat.