Emisioni Fiks Fare mbrëmjen e sotme ka sjellë rastin e ZVA Elbasan e cila ka lënë pa mësues matematike shkollën 9-vjeçare “Sulë Misiri” për 10 ditë, pasi vendin e mësueses që doli në pension nuk e shpalli vakant. Vendi është ruajtur për një nëndrejtoreshë të një shkolle tjetër që dha atje dorëheqjen për të ardhur në këtë shkollë.
Një kandidate për mësuese tregon për problematikën e saj vetëm me e-mail, pasi ka frikë të jap intervistë, por jep fakte të pakundërshshtueshme se shkolla ka qëndruar pa mësues për ditë të tëra dhe vendin e saj e kanë zënë pa u shpallur vakant.
Njëkohësisht , drejtoresha e shkollës 9-vjeçare ka pranur se fëmijët kanë qëndruar pa mësuese, dhe se emërimi është bërë më shumë se 10 ditë, pasi mësuesja tjetër kishte dalë në pension . “Unë nuk e di se si është emëruar dhe nga kush ka ardhur, vetëm e di që është me kontratë” shprehet drejtoresha.
Ndërkohë , Ermir Çela drejtues i ZVA Elbasan tregon se nëndrejtoresha e dorëhequr nga një shkollë tjetër që ka vajtur në vend të mësueses që doli në pension, kishte kohë që kërkonte dorëheqjen por ishte miratuar akoma derisa të kishte një vend bosh.
Por , në të vërtetë në përgjigjen që ka dhënë Zyra Vendore Arsimore Elbasan thuhet se mësuesja doli në pension në 31 tetor 2023, ndërkohë nëndrejtoresha u dorëheq 10 ditë më vonë. Pra vendi u mbajt i pashpallur vakant dhe nxënësit mbetën pa mësim.