Në një kohë kur dashuria deklarohet në Instagram, pasuria matet në metra katrorë dhe divorci ka pushuar së qeni fundi i botës, çiftet po zbulojnë se romantizmi nuk e përjashton planifikimin. Përkundrazi. Kontrata paramartesore, dikur e konsideruar si një fyerje ndaj ndjenjave, po shfaqet sot si aspekt i ri i martesës moderne. Jo për të parashikuar ndarjen, por për ta bërë bashkimin më të menaxhueshëm.
Në Shqipëri, kontratat paramartesore po hyjnë ngadalë në fjalorin e çifteve moderne, jo si një shenjë ftohtësie apo mosbesimi, por si reflektim i një epoke që ka mësuar se dashuria nuk e zëvendëson nevojën për qartësi.
Ajo që dikur dukej si një zakon tipik për elitat perëndimore apo për martesat e famshme që përfundojnë në gjykata, sot po shihet gjithnjë e më shumë si një akt racionaliteti, një mënyrë për të negociuar të ardhmen përpara se emocionet ta bëjnë të pamundur arsyen.
Në vendin tonë, ideja e kontratës paramartesore ende përplaset me një kulturë që e sheh martesën si një marrëveshje morale dhe jo juridike. Megjithatë, realiteti ka filluar të ndryshojë. Çiftet martohen më vonë, shpesh pasi kanë ndërtuar pasuri, biznese, prona ose karriera të pavarura.
Gratë janë më të integruara ekonomikisht, burrat më të ekspozuar ndaj riskut financiar, ndërsa divorci ka humbur statusin e tij si tabu absolute. Në këtë kontekst, kontrata paramartesore nuk shihet më si një parashikim i dështimit, por si një formë sigurimi emocional dhe ekonomik.
Ligjërisht, Shqipëria e njeh këtë instrument. Kodi i Familjes lejon çiftet të zgjedhin regjimin pasuror përmes një kontrate të lidhur para ose gjatë martesës, duke dalë nga modeli standard i bashkësisë ligjore të pasurisë.
Pavarësisht kësaj hapësire ligjore, praktika mbetet e kufizuar. Kontratat paramartesore janë ende përjashtim, jo rregull, dhe përdoren kryesisht nga individë me interesa të qarta ekonomike, si sipërmarrës, emigrantë të kthyer me pasuri të krijuara jashtë vendit, apo persona që hyjnë në martesë të dytë.
Ajo që po ndryshon nuk është vetëm numri i kontratave, por diskursi rreth tyre. Në bisedat private dhe në zyrat e avokatëve, ideja e “rregullimit të gjërave që në fillim” po fiton terren. Frika se një kontratë e tillë cenon romantikën po zëvendësohet nga bindja se paqartësia është shumë më e rrezikshme se transparenca.
Në një shoqëri ku konfliktet pas divorcit shpesh zgjasin me vite dhe përfshijnë familje të tëra, prona, biznese dhe fëmijë, kontrata paramartesore po shihet si një mënyrë për të kufizuar dëmin, jo për ta institucionalizuar ndarjen.
Në Shqipëri, martesa po humbet gradualisht statusin e saj si territor i paprekshëm nga logjika juridike dhe po shndërrohet, gjithnjë e më shumë, në një marrëdhënie që kërkon qartësi edhe përtej emocioneve.
Rritja e divorceve, fuqizimi ekonomik i grave, pasuritë e krijuara para martesës dhe përvoja gjithnjë e më e shpeshtë e martesave të dyta po e shtyjnë një pjesë të çifteve shqiptare të mendojnë përpara se të martohen jo vetëm për ceremoninë, por edhe për pasojat ligjore të bashkëjetesës. Në këtë kontekst, kontratat paramartesore, dikur të konsideruara thuajse blasfemi sociale, po gjejnë ngadalë vend në realitetin urban shqiptar.
“Po vërehet një ndryshim gradual, veçanërisht në qytetet e mëdha”, shprehet avokatja Greta Smoqi, duke theksuar se, megjithatë, kontrata paramartesore vazhdon të mbetet tabu për një pjesë të shoqërisë. Sipas saj, kjo lidhet drejtpërdrejt me traditën dhe me mënyrën se si martesa perceptohet ende si një akt thellësisht emocional, ku çdo përpjekje për ta rregulluar ligjërisht shihet si mungesë besimi.
Tensioni mes dashurisë dhe ligjit është ndoshta arsyeja kryesore pse kontratat paramartesore po ecin më shpejt në Tiranë dhe qytete të mëdha sesa në zonat më tradicionale të vendit.
Profilizimi i çifteve që kërkojnë një kontratë paramartesore është mjaft i qartë. “Kryesisht janë çifte me nivel më të lartë arsimor, biznese aktive, pasuri të krijuara para martesës, ose martesa të dyta”, thotë znj. Smoqi.
Në shumë raste bëhet fjalë për individë që kanë ndërtuar një bazë ekonomike përpara martesës dhe kërkojnë ta mbrojnë atë, jo domosdoshmërisht nga partneri, por nga pasiguritë që mund të sjellë e ardhmja. Martesat e dyta, në veçanti, janë më pragmatike: përvoja e mëparshme e ndarjes e bën planifikimin ligjor të duket më pak si cinizëm dhe më shumë si domosdoshmëri.
Edhe pse nuk ka statistika zyrtare të detajuara për numrin e kontratave paramartesore të nënshkruara çdo vit, perceptimi në praktikën ligjore është i qartë. “Ka një rritje të dukshme krahasuar me një dekadë më parë”, pohon avokatja, duke shtuar se informimi më i madh ligjor dhe përballja e drejtpërdrejtë me pasojat e divorceve kanë ndikuar ndjeshëm në këtë prirje.
Çiftet sot janë më të vetëdijshme për pasurinë, borxhet, përgjegjësitë dhe për faktin se ndarja nuk është më një përjashtim i rrallë, por një realitet i zakonshëm shoqëror.
Megjithatë, kontrata paramartesore vazhdon të vuajë nga një sërë keqkuptimesh. “Keqkuptimi kryesor është se kontrata paramartesore nënkupton mungesë dashurie ose besimi”, shpjegon znj. Smoqi. Një tjetër ide e gabuar, sipas saj, është se kjo kontratë u përket vetëm njerëzve shumë të pasur.
Në realitet, ajo është një instrument ligjor që mund të shërbejë për çdo çift që dëshiron të ketë qartësi mbi regjimin pasuror, pavarësisht nivelit të të ardhurave. Paradoksi shqiptar qëndron në faktin se çiftet shpesh hyjnë në marrëdhënie financiare shumë më komplekse pa asnjë dokument, ndërkohë që një kontratë e thjeshtë shihet si shenjë ftohtësie.
Në rast divorci, pesha reale e kontratës paramartesore bëhet e dukshme. “Kontratat janë juridikisht të qëndrueshme nëse janë hartuar sipas ligjit, me transparencë dhe pa cenuar të drejta themelore”, thekson avokatja.
Problemet lindin zakonisht jo nga vetë ekzistenca e kontratës, por nga formulimet e paqarta ose nga mungesa e informimit të plotë në momentin e nënshkrimit. Në disa raste, presioni emocional ose dëshira për ta mbyllur shpejt procesin martesor çon në nënshkrime që më pas kontestohen.
Në një realitet ligjor që po modernizohet gradualisht, kontrata paramartesore po përpiqet të zhvishet nga stigma morale. “Në kontekstin ligjor modern shqiptar, ajo duhet parë si një instrument normal planifikimi financiar dhe ligjor”, përfundon znj. Smoqi, duke theksuar se synimi i saj është të garantojë siguri për të dy bashkëshortët dhe të reduktojë konfliktet në rast ndarjeje.
Pyetja që mbetet e hapur është nëse shoqëria shqiptare është gati ta pranojë këtë qasje si shenjë pjekurie dhe jo si mungesë ndjenjash, apo nëse kontrata paramartesore do të mbetet ende për një kohë të gjatë privilegj i një elite urbane më të informuar.
Dashuria në epokën e kapitalit personal
Martesa nuk është më hyrje në jetë, por një kapitull i ndërmjetëm, që vjen pasi individët kanë kaluar një fazë të gjatë ndërtimi personal dhe profesional.
Avokatët që merren me të drejtën familjare vërejnë se çiftet po martohen gjithnjë e më shpesh në mosha më të pjekura se më parë, zakonisht pasi kanë mbyllur ciklin e studimeve, kanë ndërtuar karrierë, kanë marrë kredi afatgjata, kanë hapur biznese ose kanë krijuar një bazë të qëndrueshme pasurore. Martesa, në këtë kuptim, nuk shërben më si pikënisje ekonomike, por si bashkim i dy individëve që tashmë kanë histori financiare të veçanta.
Kjo prirje ndryshon thellësisht ekuilibrat brenda marrëdhënies. Partnerët hyjnë në martesë jo nga nevoja ekonomike, por nga zgjedhja, duke ruajtur një nivel autonomie që në brezat e mëparshëm ishte i pazakontë. Pasuria e krijuar përpara martesës, qoftë një apartament, një biznes, kursime apo detyrime financiare, sjell me vete edhe nevojën për qartësi juridike.
Në këtë kontekst, kontrata paramartesore nuk shihet më si shenjë mosbesimi apo si paradhomë e ndarjes, por si një instrument racional për të përcaktuar kufijtë financiarë dhe për të mbrojtur investimet individuale të bëra përpara lidhjes.
Sipas praktikës së avokatëve, këto kontrata pasqyrojnë një ndryshim i cili ka zhvendosur idenë e një partneriteti të ndërtuar mbi varësi, por mbi dy autonomi që zgjedhin të bashkëjetojnë.
Avokatja Nexhi Beqiraj thotë se është rritur interesimi për kontratat paramartesore, edhe pse ende nuk flasim për shifra masive.
“Kam komunikuar edhe me noterë, vitet e fundit kërkesat janë shtuar sidomos në qytetet e mëdha dhe në çiftet ku të dy partnerët janë ekonomikisht aktivë. Ky interesim lidhet me disa faktorë. Së pari, rritja e pasurisë private dhe e sipërmarrjes individuale.
Së dyti, rritja e divorceve që ka krijuar më shumë vetëdije për pasojat financiare të ndarjes. Dhe së treti, ndryshimi kulturor ku pasuria po shihet më pak si tabu emocionale dhe më shumë si çështje që kërkon rregullim racional që në fillim të martesës”, – thotë avokatja.
Sa i përket zgjidhjes së divorceve, avokatët janë pothuajse unanimë që kontratat paramartesore e bëjnë procesin shumë më të qartë dhe më pak konfliktual. Kur ka një marrëveshje të shkruar që përcakton se çfarë është pasuri personale dhe çfarë është e përbashkët, shmangen betejat e gjata gjyqësore dhe interpretimet subjektive. Në këtë kuptim, kontrata nuk e nxit divorcin, por e menaxhon atë nëse ndodh.
Nuk janë vetëm persona VIP që u drejtohen këtyre kontratave. Sigurisht që figura publike, sipërmarrës, njerëz me biznese ose pasuri të trashëguara janë më të ekspozuar dhe priren t’i përdorin.
Por avokatët po shohin gjithnjë e më shumë edhe profesionistë të rinj, gra që kanë ndërtuar karrierë dhe pasuri të tyre, ose çifte ku njëri partner ka kredi, biznes apo detyrime financiare që kërkojnë qartësi ligjore.





