100 vjet marrëdhënie diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë

0
Sh.T. Z. Tayyar Kağan Atay ; Anisa Bahiti, Drejtore Infoweb Media
Sh.T. Z. Tayyar Kağan Atay ; Anisa Bahiti, Drejtore Infoweb Media

Ambasadori Sh.T.Z. Tayyar Kağan Atay: Historia e përbashkët shekullore tashmë në nivelin e Partneritetit Strategjik

 

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Tayyar Kağan Atay, dha një intervistë për Infoweb Media.

Kjo ishte intervista e parë që ai dha për vitin 2023 ne cilësinë e Ambasadorit të Republikës së Türkiye-s në Tiranë.

Mes të tjerash në intervistë z. ambasador ka nënvizuar se sivjet kremtohet 100 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë. Ai i ka cilësuar dy popujt si ‘vëllëzër’ me një histori dhe traditë shekullore.

Kjo histori marrëdhëniesh ka kulmuar me nënshkrimin e deklaratave të përbashkëta të Partneritetit Strategjik.

Sh.T.Z. Tayyar Kağan Atay, foli edhe për rolin që luajnë Turqia dhe Shqipëria për stabilitetin rajonal e global, mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin në BE etj.

Z. Atay tregon edhe emocionet e emërimit të tij si ambasador në Republikën e Shqipërisë duke u shprehur se është ndjerë sikur të ‘kisha ardhur në shtëpi’.

Intervista e plotë e Sh.T.Z. Tayyar Kağan Atay:

1. Zoti ambasador, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve Shqipëri-Turqi a mund të bëjmë një bilanc të marrëdhënieve 2 palëshe mes dy popujve tanë dhe dy vendeve tona?

Me “Marrëveshjen e Përjetshme të Miqësisë dhe Bashkëpunimit” të nënshkruar më 15 dhjetor 1923, u vendosën marrëdhëniet diplomatike midis vendeve tona. Viti 2023, ku do të kremtojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike, është edhe 100 vjetori i Republikës së Turqisë. Pra është një vit shumë i rëndësishëm për ne. Nga ana tjetër, ndonëse bëhet fjalë për 100 vjet sa i përket vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, është e qartë se marrëdhëniet mes shoqërive të dy vendeve datojnë në shekuj. Kjo histori e përbashkët dhe traditë shekullore e të jetuarit së bashku është forca më e rëndësishme lëvizëse e marrëdhënieve tona në fusha politike, ekonomike, kulturore e të tjera. Në fakt këtu mund të flitet për dy popuj vëllezër. Çdokush ka të paktën një shtetas me origjinë shqiptare që e nje në Turqi. Kultura, zakonet dhe traditat tona janë të gjitha të ndërthurura me njëra-tjetrën. Natyrisht, kjo ka një reflektim edhe politik. Me Deklaratën e Përbashkët të nënshkruar në Ankara nga Presidenti ynë dhe Kryeministri Rama në janar 2021, marrëdhëniet tona dypalëshe u ngritën në nivelin e Partneritetit Strategjik. Nënshkrimi i kësaj deklarate përbën një pikë kthese. Pas kësaj date, në vizitat e ndërsjella të nivelit të lartë, kontaktet ndërinstitucionale, marrëveshjet dhe fushat e bashkëpunimit është shënuar një rritje e ndjeshme. Së fundmi, më 1 nëntor 2022, ministri Çavuşoğlu priti në vendin tonë Olta Xhaçkën, Ministre e Evropës dhe Punëve të Jashtme. Në vizitën e parë zyrtare të Ministres Xhaçka në vendin tonë si Ministre e Evropës dhe Punëve të Jashtme, ministrat e nderuar zhvilluan takimin e Grupit të Dialogut Politik, i cili ishte një përgatitje për mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë që do të mbahet për herë të parë. Prandaj në vitin 2023, në 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike, na pret një axhendë e ngjeshur në politikë dhe në çdo fushë tjetër.

2. Zoti ambasador, Shqipëria dhe Turqia kanë një partner strategjik dhe historik, por a mund të bëjmë një parashikim se çfarë i duhet vendeve tona të bëjnë në 100 vitet që vijnë për të forcuar këto marrëdhënie dhe këtë partneritet?

Si dy vende Ballkanike aleate në NATO dhe vende kandidat për në BE, ne jemi të vendosur të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me Shqipërinë në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, shpresojmë që marrëdhëniet tona politike, të cilat i kemi kurorëzuar me Partneritetin Strategjik në vitin 2021, do të forcohen më tej përmes vizitave dhe kontakteve të vazhdueshme të ndërsjella të nivelit të lartë. Sfidat aktuale gjeopolitike që po kalojmë e kanë bërë edhe më të rëndësishëm bashkëpunimin mes Turqisë dhe Shqipërisë, dy vendeve të rëndësishme të Ballkanit. Në këtë kuadër, dëshirojmë të vazhdojmë dialogun dhe bashkëpunimin tonë të ngushtë në organizatat ndërkombëtare për shumë çështje globale dhe rajonale me Shqipërinë, e cila ka një pozicion kyç për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës dhe Ballkanit. Vitin e kaluar, ne arritëm qëllimin tonë për të rritur vëllimin tonë të tregtisë dypalëshe në mbi 1 miliard dollarë. Në vitin 2022, vëllimi ynë i tregtisë dypalëshe arriti në 1.1 miliardë dollarë. Turqia është aktualisht ndër investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri. Vëllimi i përgjithshëm i investimeve tona ka kaluar 3.5 miliardë dollarë. Kryesisht në sektorin e shërbimeve, në Shqipëri operojnë 600 kompani turke. Në vijimesi do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje për të rritur më tej volumin tregtar dhe investimet e ndërsjella. Marrëdhëniet tona të shkëlqyera ndërshtetërore padyshim e marrin fuqinë e tyre nga lidhjet miqësore. Në këtë kuadër, ne do të vazhdojmë të inkurajojmë që kontaktet e ndërsjella midis popujve tanë, marrëdhëniet mes universiteteve tona dhe pushtetit vendor si dhe aktivitetet kulturore të shtohen gradualisht.

3. Zoti ambasador, siç e dini Shqipëria më në fund në muajin Korrik ka hapur zyrtarisht negociatat me BE. Ndërkohë Turqia është vend kandidat i BE. Cila është qasja e Turqisë në lidhje me procesin e integrimit në BE të Shqipërisë dhe vendeve të Rajonit të Ballkanit?

Ne mbështesim të gjitha përpjekjet e Shqipërisë në drejtim të anëtarësimit të plotë në BE, uroj nga zemra që në fund të procesit të anëtarësimit Shqipërinë mike ta shikojmë si një anëtare e BE-së. Me këtë rast, dëshiroj të theksoj edhe një herë se vendi ynë, duke qenë si vend kandidat për negociata, është i gatshëm të mbështesë Shqipërinë mike dhe aleate duke ndarë njohuritë dhe përvojën tonë në të gjitha fushat që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE. Në fakt, integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit me institucionet euroatlantike përbën një nga prioritetet e politikës tonë ballkanike. Ne besojmë se e ardhmja e rajonit të Ballkanit, pjesë e së cilës është edhe Turqia, qëndron në BE. Sfidat ekzistuese gjeopolitike e kanë rikthyer politikën e zgjerimit në axhendën e BE-së pas një pauze të gjatë. Statusi i vendit kandidat në Ukrainë, Moldavi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë; Gjeorgjisë iu dha perspektiva e BE-së, filloi procesi i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shpresojmë që të gjitha këto zhvillime të reflektojnë pozitivisht në politikën e zgjerimit të BE-së dhe në proceset e anëtarësimit të vendeve kandidate, përfshirë Turqinë. Ne besojmë se politika e zgjerimit e BE-së duhet të bazohet në kritere të drejta dhe të jetë e orientuar drejt rezultateve.

4. Zoti ambasador, ju jeni në vitin e parë të mandatit Tuaj, a keni mundur ta vizitoni Shqipërinë në tërësi. A ju bën përshtypje mikpritja dhe respekti i shqiptarëve për Turqinë dhe Ju si përfaqësues i saj?

Më 24 qershor erdha në Shqipëri dhe fillova detyrën si Ambasador. Gjatë kësaj periudhe prej rreth shtatë muajsh, patëm mundësinë të shohim shumë qytete nga jugu e në veri te vendit se bashku me familjen time. Shqipëria është një vend shumë i veçantë me bukuritë e saj natyrore unike. Ne si familje e kemi pëlqyer shume. Jam i sigurt se shumë vende të tjera të bukura na presin t’i pare. Kudo që shkojmë na përshëndesin si vëllezër. Një nga kujtimet e mia të paharrueshme për kujdesin që Shqipëria dhe shqiptarët kanë treguar ndaj meje dhe familjes sime kanë qenë padyshim minutat e mia të para në Shqipëri. Erdha nga Turqia në Shqipëri me rrugë tokësore dhe kur arrita në kufi sapo deklarova se jam Ambasador i Turqisë, u mirëprita në mënyrë te jashtëzakonisht nga punonjësit e policisë në kufi me një sinqeritet dhe ngrohtësi, madje u përqafuam si vëllezër dhe uruam njeri tjetrin. Ata ishin të lumtur sikur të kishte ardhur një i afërm i tyre që po i prisnin ndërkohë dhe unë u gëzova njësoj sikur të isha bashkuar me të afërmit e mi pas udhëtimit. Ai moment për mua do të thotë shumë dhe gjithmonë do të jetë në kujtesën time. Pikërisht kur thashë se erdha në një vend të ri, ishte një mirëseardhje sikur të kisha ardhur në shtëpi. Në fakt, ai moment ishte një lajmëtar i mikpritjes dhe bujarisë që do të shikoja më vonë edhe në qytetet të tjera të Shqipërisë. Infoweb Media

Intervista u realizua nga Drejtoresha e Infoweb Media dhe anëtare e Këshillit Global të Mediave, Anisa Bahiti.

Copyright: Infoweb Media

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu