Të mërkurën u shënua 25 vjetori i themelimit dhe funksionimit të komunës së parë të Prizrenit.
Të pranishëm ishin figura që dhanë kontributin e tyre në këtë komunë.
Kryesuesja e asamblesë u shpreh se nuk do të ndalet së punuari për begatimin e kësaj komune. ‘Ky organizim na kthen në fillimet e punës së ngritjes së institucioneve. Arritjet na japin shtysë që të punojmë sa më shumë të japim kontributin për të ardhmen’, theksoi ajo.
Kryetari i parë i kësaj komune ishte Kadri Kryeziu i cili tregoi disa nga vendimet e marra në atë kohë. Ringritja e Lidhjes së Prizrenit ishte një ndër vendimet e para, u shpreh ai. ‘Më 28 nëntor kemi ngritur Flamurin Kuqezi ku morën pjesë rreth 350 mijë njerëz nga gjithë trojet shqiptare’.
Mirënjohje u dhanë edhe për disa personalitete që dhanë kontribute në zhvillimin e kësaj komune. Ndër ata ishte edhe Ilir Kulla nga Shqipëria për ndihmën e dhënë në kohën e luftës në fushën e sigurisë.
Kulla u shpreh se ‘çdo shqiptar anë e kënd botës është i lidhur me Lidhjen e Prizrenit. Aty e kemi rrënjën, aty e kemi gjenezën. Kush thotë shqiptar, thotë edhe Prizren. Ky është një obligim. Sidomos unë kam një reflektim për të rinjtë. Kështu do të jetë e ardhmja, por duhet me vazhduar me punuar fort e me qenë më vetëbesues’, nënvizoi eksperti Kulla.
Ilir Kulla ka kujtuar edhe dëshmorët nga Shqipëria të cilët dhanë kontribut për lirinë e Kosovës.
“Nuk mund te mos kujtoja ne kete pervjetor deshmoret nga Shqiperia, Tahir Sinani, Indrit Cara, Arjan Brahimaj dhe Astrit Suli te cilet per lirine e gjysmes se Kombit dhane gjene me te shtrenjte jetën”, shkruan Kulla.