65% e meshkujve të grupmoshës 25-34 vjeç që jetojnë në qarkun e Tiranës janë beqarë. Këtë tregojnë të dhënat e detajuara të Censit të publikuara së fundmi, sipas së cilit ndonëse popullsia e qarkut Tiranë dominohet nga gjinia femërore, numri më i lartë me statusin beqar është tek meshkujt.
Për sociologen Entela Binjaku, të tilla të dhëna reflektojnë fenomenin e rritjes së moshës së martesës që në pamje të parë lexohet si formë pjekurie, por në brendësi ka edhe një sërë faktorësh që po i bëjnë të rinjtë të hezitojnë të martohen.
“Nuk është vetëm ky shkaku i vetëm, nevoja për të qenë më të pjekur, zakonisht pas shkaqeve që janë në shtyrje të moshës së martesës është pasiguria; pasiguria për të siguruar ekonomikisht familjen, një strehë dhe shpeshherë meshkujt hezitojnë pasi janë të pasigurt.”
“Po të kishte më shumë politika mbështetëse, jam e sigurt që nuk do kishte këtë hezitim. Financime për të blerë banesën e parë, makinën e parë.”
Ndërsa meshkujt dominojnë si beqarë, numri më i lartë i të divorcuarve që jetojnë në qarkun e Tiranës janë të gjinisë femërore.