6 orë seancë në GJKKO për Veliajn, Xoxën dhe 6 biznesmenët, gjyqtarët tërhiqen për vendim

0

TIRANË – Ka përfunduar seanca në Gjykatën e Posaçme për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxës, dhe 6 biznesmenëve të tjerë. Ndaj 8 të pandehurve seanca e zhvilluar ka zgjatur 6 orë, dhe mësohet se gjyqtarët tashmë janë tërhequr për vendim.

Seanca e sotme është shoqëruar me përplasje verbale mes kryebashkiakut Veliaj dhe prokurorit Olsi Dado. Veliaj ka ngritur akuza drejt Dados se ky i fundit e ka personale me të. Veliaj ka deklaruar se i ka dhënë leje ndërtimi Dados, por ky i fundit ka mbetur i pakënaqur dhe i ka thënë “do ta mbash mend”.

Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Po ashtu, në GJKKO është paraqitur edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, e cila është lënë në masë sigurimi “arrest shtëpie”.

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga peronat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.