Vlora ‘zgjohet’ nën ujë. Rrugë, sheshe, banesa e biznese ende të përmbytura

0

VLORË- Qyteti i Vlorës është zgjuar nën ujë, pasi moti i keq goditi vendin tonë. Situata më alarmante ishte në qarkun e Vlorës ku reshjet intensive të shiut shkaktuan përmbytje të mëdha. 33 familjet e evakuuara kanë kaluar natën larg banesave të tyre, ndërsa Bashkia e Vlorës i strehoi në konvikt. Bëhet fjalë për të paktën 55 persona në total nga 33 familje.

Sot rrugë e lagje janë ende nën ujë. Më problematike situata mbetet në disa lagje, ‘Albano dhe Romina’, lagjia ‘Leg Sallat’, lagjia ‘28 nëntori’, zona te Xhamia, zona te Xhamia, lagjja ‘Kushtrim’, lagja ‘Rilindja’, ‘Skela’, ‘Pavarësia’, rruga ‘Hasan Kushta’ rruga “Gjergj Araniti” aksi pranë Kishës Ortodokse dhe bibliotekës publike si dhe pjesë të bulevardit ‘Ismail Qemali’. Ende nuk ka një bilanc të dëmeve të shkaktuara në biznese e banesa, ndërsa autoritetet vendore pritet të nisin me një analizë.

Ndërsa çarja e kanalit të ujërave të larta bëri që uji të vërshojë nëpër qytet, lagjet kryesore biznese e banesa duke shkaktuar edhe dëme. Si asnjëherë më parë, të gjitha rrugët e qytetit u pushtuan nga uji dhe lagjet u bllokuan ku niveli i ujit arriti deri 50-60 cm. Uji, si rrjedhë lumenjsh që kalonte nëpër rrugë, mori me vete çfarëdo i doli para, karriget dhe tavolinat e lokaleve, koshat e mbeturinave duke i spostuar në sheshin e Flamurit.

Në ndihmë të bashkisë Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, dërguan 2 moto varka, 2 ekipe të pajisur me 2 motopompa, 8 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 30 forca ushtarake. Reshjet pushuan në orën 19:00 por deri në këtë orë sipas autoriteteve, sasia e reshjeve ishte sa prurjet e shirave gjatë vjeshtë-dimër në Vlorë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu