KOSOVË- Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla u shpreh se kërcënimi me bombë në Kuvend është bërë nga një numër telefoni i regjistruar në Serbi, konkretisht nga kompania telefonike MTS, dhe përdoruesi i tij është identifikuar si Lazar Zivkoviç.
“Institucionet relevante të sigurisë e kanë trajtuar me prioritet të lartë këtë sulm hibrid ndaj institucioneve të Kosovës, i cili është konfirmuar se ka origjinën në Serbi. Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS. Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Zivkoviç. . Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić.”, ka shkruar Sveçla.
Hetimet e para kanë zbuluar se në disa profile të lidhura me këtë numër është përdorur fotografia e kriminelit të luftës, Ratko Mladiç duke e lidhur rastin me grupe ekstremiste dhe anti-Kosovë. Ministri ka nënvizuar se institucionet e Kosovës po e trajtojnë këtë rast me prioritet të lartë dhe se do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës për këtë akt kërcënues.
“Sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë,” ka deklaruar Sveçla.
Policia e Kosovës dje pas alarmit për mjet shpërthyes në objektin e Kuvendit të Kosovës bëri të ditur se kërcënimi ishte bërë përmes një thirrjeje telefonike që ka ardhur nga një numër me origjinë të dyshuar nga Serbia.
“Hetimet po vazhdojnë në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente, si dhe me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, me qëllim të lokalizimit të burimit të kërcënimit, identifikimit të mjeteve dhe rrjeteve të komunikimit të përdorura”, thuhej në njoftimin e Policisë.