Kriza energjitike mbaroi dhe çmimet janë normalizuar, por kompanitë publike të këtij tregu po vazhdojnë të vuajnë pasojat që shkaktuan çmimet e larta.
Këtë vit konsumatorët janë treguar të kujdesshëm në konsumin e energjisë, ndërsa Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka arritur të eksportojë dyfishin e energjisë që ka importuar në periudhën e thatësirës. Konsumi i energjisë në Shqipëri për 9 muajt e parë të vitit ishte 5.88 terravat orë nga 6.1 terravat orë që ishte një vit më parë.
Sasia e energjisë që konsumohet në vend ndahet: 4.66 terravat orë është konsumuar nga bizneset dhe familjarët dhe 1.22 terravat orë është energji që ka humbur në rrjetin e shpërndarjes. 1 në 5 kilovat energji elektrike që hidhet në rrjet humb për shkak të gjendjes së amortizuar të tij dhe vjedhjeve.
Eksperti i ekonomisë Pano Soko thotë se,”Shqipëria nuk do të ishte futur asnjëherë në krizë nëse do të administrohej si duhej rezerva hidrike në kaskadën e Drinit. Problemi i krizës gjatë vitit të shkuar, nuk ishte se ndodhi rritja e çmimit në bursa, por sepse krijuam nevoja të mëdha për blerje sepse nuk administruam rezervën.”
Nëse do të llogaritim të dhënat e periudhës janar-shtator 2023, vlera e energjisë së humbur në rrjet e llogaritur me një çmim mesatar të këtij intervali prej 109 euro për megavat orë është 132 milion euro. 35 milion euro është energji e vjedhur dhe 97 milion euro ka shkuar dëm për shkak të infrastrukturës të degraduar.
Prodhimi i energjisë në Shqipëri mbështet te burimet ujore dhe dominohet në masë nga hidrocentralet. Një vit më parë hidrocentralet privatë barazuan prodhimin e energjisë me atë të heceve në pronësi publike. Gjatë këtij viti, raporti ka ndryshuar, hidrocentralet e Kaskadës së Drinit kanë prodhuar 4 terravat orë dhe 2.55 terravat është energji e gjeneruar nga privatët.
Fatura e krizës së energjisë kushtoi gjysëm miliardi euro në vitin 2022, ndërsa në total prej nisjes së saj dhe deri më sot janë paguar 800 milion euro për të blerë energji elektrike. Detyrimet kontigjente do të rriten dhe më shumë në të ardhmen, nëse kontrata për vendosjen në punë të dy anijeve me tece që prodhojnë energji nga nafta do të nisë zbatimin. Qiraja ditore dhe operimi i anijeve, bashkë me lëndën djegëse do t’i kushtojë Korporatës Elektroenergjitike 336 milion euro për dy vjet. Nëse do t’i shtojmë kësaj fature dhe vlerën e humbjes financiare 260 milion euro të KESH vitin e shkuar, atëherë fatura e krizës kap shifrën 1.4 miliard euro.
“Nëse do të kishim investuar 1.4 miliard euro për të ulur humbjet dhe shtuar kapacitetet prodhuese, nuk do të kishim më nevojë për importe. Këto para që janë keqpërdorur.” shprehet eksperti Pano Soko.
260 milion euro e kësaj fature është paguar drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit përmes injektimit të kapitalit e dhe një pjesë tjetër nga fitimet e mbartura ndër vite që kishte KESH. Tashmë sfida mbetet te përmirësimi i situatës financiare të kompanive në sektorin energjitik