Kombëtarja e Gambias ka përjetuar momente tmerri, para nisjes së Kupës së Kombeve të Afrikës. Futbollistët dhe i gjithë stafi u nisën me avion nga kryeqyteti i vendit, Banjul, drejt Bregut të Fildishtë.
Vetëm 9 minuta pas shkëputjes nga pista, piloti vendosi të rikthehej sërish, pasi mungonte oksigjeni në bordin e avionit.
Në një postim në Instagram, ish-futbollisti i Manchester United, Saidy Janko, shkroi se shumë futbollistë patën dhimbje të forta të kokës dhe marramendje ekstreme.
Ndërkohë, trajneri belg i Gambias, Tom Saintfiet, shkroi: “Ne të gjithë mund të kishim vdekur. Të gjithëve na zuri gjumi brenda pak minutave. Unë po përjetoja vegime për jetën time. Pas 9 minutash, piloti vendosi të riktheheshim në pistë sepse nuk kishte furnizim me oksigjen.
Disa lojtarë ishin në gjumë kur u rikthyem në pistë. Nëse do të qëndronim edhe pak në ajër, ne do të kishim vdekur të gjithë. Unë jam i gatshëm të vdes në fushën e lojës për futbollin, por jo në ajër”, tha trajneri i Gambias.