Forcat Speciale dhe policia kanë zmbrapsur me spraj dhe gaz lotsjellës protestuesit para Kryeministrisë. Ndërkohë, situata vijon të jetë e tensionuar, teksa qindra protestues kanë tentuar të hapin dyert e Kryeministrisë.
Ata kanë qëlluar me sende të forta efektivët e policisë, si dhe kanë thyer dyert e godinës, në tentativë për të hyrë brenda, por janë zmbrapsur nga Forcat Speciale, që kanë mbërritur para Kryeministrisë, duke e rrethuar godinën.
Nga protesta raportohet se janë lënduar deri më tani 9 efektivë, të cilët kanë përfunduar në spital. Efektivët kanë marrë dëmtime në kokë dhe në këmbë, ndërkohë që nga radhët e protestuesve nuk ka të dëmtuar.
Protesta e sotme u thirr nga shumë qytetarë dhe aktorë të shoqërisë civile për të protestuar pas vrasjes nga policia të të riut Klodian Rasha mëngjesin e djeshëm.
Një efektiv policie e qëlloi për vdekje 25-vjeçarin 50 metra larg oborrit të shtëpisë së tij, pasi i riu nuk iu përgjigj thirrjeve për të ndaluar. Rasha gjeti vdekjen nga 2 plumba pas shpine, teksa përpiqej të largohej me shpejtësi, ndërsa efektivi që kreu vrasjen u arrestua në orët e mëvonshme. Në deklaratën që ai dha para SHÇBA u shpreh se ‘iu duk se i riu kishte armë’.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj, ndërsa hedhin vazhdimisht parulla kundër qeverisë.